Arbëri

Institucionet i përgjigjen me heshtje deklaratës për ndikimin në rastet ndaj Krivaçës

Në mesin e 133 veprave penale ndaj Dardan Krivaçës është edhe ajo e tentim vrasjes së një zyrtari policor, porse për të ai asnjëherë nuk ishte përballur me drejtësinë. Krivaça tashmë akuzohet për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, teksa nëna e së ndjerës, në deklaratën dhënë Prokurorisë, i është referuar një bisede që shpërfaq ndikimin që kanë ushtruar familjarët e të akuzuarit mbi institucionet e drejtësisë

Institucionet e drejtësisë po i përgjigjen me heshtje deklaratës së nënës së Marigona Osmanit, dhënë në Prokurori, për të akuzuarin për vrasjen e së bijës së saj.

Aktakuza për vrasjen e 18-vjeçares u ngrit ditë më parë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ku dëshmi për rastin e vajzës së saj ka dhënë edhe nëna Valdete Osmani.

Në deklaratë, Valdete Osmani përmend një bisedë me nënën e të akuzuarit, Dardan Krivaça, ku ajo i kishte thënë se ka ndikim mbi persona në pozita të larta.

“Gjatë bisedës ku kanë qenë të pranishëm të gjithë, ka njoftuar se djali i saj ka qenë në burg para rreth një muaji, mirëpo ka theksuar se ‘unë kam shumë të njohshëm dhe kam ndikim në persona me nivel të lartë. Djali im edhe pse ka dashur që ta mbysë një polic me thikë, të cilit ia ka vendosur në qafë, falë ndikimit tim, policit ia kam sjellë punën me tërheqë padinë’”, kishte deklaruar Osmani.

Deklarata i referohet edhe një thënieje të nënës së të akuzuarit, i përfshirë në 133 vepra penale.

“Gjatë bisedës ka thënë që ‘qentë jam duke i ushqyer, mirëpo këlyshët vetëm marrin erë’, por nuk ka përmendur ndonjë institucion. Gjatë bisedës e njëjta i ka prezantuar disa kartela, mirëpo nuk e di saktësisht se çka kanë qenë ato”, thuhet tutje në deklaratë.

Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj nuk janë përgjigjur nëse do të ketë hetim për pretendimet se ka pasur ndërhyrje në rastet e Krivaçës.

Në shoqërinë civile thonë se kjo deklaratë duhet të denoncohet dhe të sqarohet se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se institucionet e hetuesisë do të duhej tashmë të aktivizoheshin për këtë, si dhe për të parë nëse vrasja e Marigonës ka ardhur si rezultat i neglizhencës së organeve të drejtësisë.

“Nëse e kemi parasysh këtë deklaratë dhe i njëjti ka pasur disa precedentë penalë dhe nuk është mbajtur në paraburgim ose në burgim, definitivisht kjo deklaratë do të duhej të trajtohej si denoncim nga ana e Prokurorit të Shtetit dhe të shohim nëse kemi të bëjmë me vepër penale ose jo”, u shpreh Shala.

Për ndërhyrjet në drejtësi, kishte folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në gusht të vitit të kaluar.

“Nuk do të ketë më ndërhyrje nga lart në drejtësi, por këmbëngulje në kërkim të saj”, pati thënë ai në një konferencë për media.

Por ka kaluar gati një vit prejse ministri i Punëve të Brendshme pati bërë një deklaratë të tillë. Se a janë ndërmarrë hetime konkrete për përgjegjësit që e kishin lënë në liri Krivaçën, i cili kishte 10 lëndë penale në Gjykatë e 133 në Polici, nuk janë përgjigjur në Ministrinë e Brendshme.

Përgjigje për këtë rast nuk kanë dhënë as në Këshillin Prokurorial të Kosovës e Këshillin Gjyqësor. Edhe i akuzuari tjetër në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, Arbër Sejdiu, kishte aktakuzë për vrasje në tentativë, por që gjyqësori ishte arsyetuar se lënda e tij është bartur nga një gjykatës te tjetri.

Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu akuzohen për vrasjen e dhunimin e 18-vjeçares nga Ferizaj, në gusht të 2021-tës.

Krivaça tashmë akuzohet edhe për veprën penale “Dhunim”, ndërsa Sejdiu për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit”. Sipas aktakuzës, të pandehurit e kanë dhunuar seksualisht derisa viktima ka humbur vetëdijen. Aty thuhet se të gjitha veprimet vërtetohen nga videoincizimet e marra në banesën e Krivaçës, ku edhe ka ndodhur vepra penale.

“Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga videoincizimet, si dhe fotot e bëra nga njësia e forenzikës, ku vërehen në tërë trupin e së ndjerës hematome, si dhe dërrmishje. Po ashtu gjatë dhunimit është përdorur edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse, e në bazë të dëmtimeve trupore rezulton se e njëjta është përdorur nga i pandehuri Dardan Krivaça. Gjithashtu fakti se në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë e po ashtu janë gjetur shishe, të zbrazura dhe gjysmë të zbrazura, është rrethanë që tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndiejë sa më shumë dhimbjet, ujin e ka përdorur për ta këndellur”, thuhet në aktakuzën 24-faqeshe.

Në aktakuzë tregohet se të dyshuarit kanë tentuar edhe t’i zhdukin pamjet nga videokamerat.