Arbëri

Pas shkarkimeve, MPJD-ja rekruton staf të ri për misionet diplomatike

Descriptive Text

Pas valës së parë të shkarkimeve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës synon t’i mbushë ambasadat me zyrtarë që do të rekrutohen përmes një konkursi të jashtëm. Por,s përveç kontestimit të kritereve, ku kryesori është njohja e një gjuhe të huaj, diplomatë brenda MPJD-së janë ankuar për shpërfillje nga një konkurs tjetër i brendshëm, epilogun e të cilit nuk e ka sqaruar ky dikaster

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës synon t’i mbushë misionet diplomatike me staf të ri, nëpërmjet një konkursi të jashtëm. Si rrallëherë, MPJD-ja ka shpallur thirrje për 32 pozita, ku kriter themelor është njohja e gjuhëve të huaja.

Dhjetë zyrtarë në misionet diplomatike kërkohen me njohuri të avancuara të gjuhës angleze; shtatë të gjuhës frënge; shtatë të gjuhës gjermane; nga dy me njohuri të avancuara të gjuhës italiane, spanjolle e arabe; si dhe nga një zyrtar me njohuri të avancuara të gjuhës greke dhe portugeze.

Te përshkrimi që u bëhet kritereve, zyrtarëve që pranohen u kërkohet vetëm një kualifikim adekuat profesional.

Kandidatët e përzgjedhur do të sistemohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në njërën nga njësitë organizative të MPJD-së, deri në plotësimin e kushteve formale për dërgimin e tyre në misione diplomatike.

Kriteret e konkursit të ri janë përjashtuese ndaj atyre që u është shqiptuar masë disiplinore për përjashtim nga puna.

Përveçse i kanë kontestuar kriteret e konkursit, diplomatë të MPJD-së në kushte anonimitetit janë ankuar për mospërfillje dhe mungesë të përgjigjes nga ana e ministres për një shpallje tjetër të brendshme për dërgim në misione diplomatike.

“Ministria ka shpallur konkurs, ku kërkon të punësojë njerëz që dinë vetëm një gjuhë të huaj, pa i përfillur kriteret profesionale që nevojiten për t’u bërë pjesë e shërbimit. Jemi disa diplomatë që kemi shprehur interes për misione diplomatike në thirrjen e brendshme. Por prej vitit të kaluar Ministria nuk na ka njoftuar se çfarë ka ndodhur me rastet tona”, ka thënë ky burim.

MPJD-ja gjatë javës nuk është përgjigjur për KOHËN lidhur me temën.

Ministrja Donika Gërvalla ka zgjedhur Facebookun për të shkruar se, meritokracia dhe profesionalizimi janë kritere të vetme për punësime në institucionet e Kosovës.

“Kemi premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës. Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit”, ka shkruar ajo. “Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale. Nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë tonë”.

KOHA ka mësuar se nga 17 pozitat e lira me konkurs të brendshëm, Ministria ka nxjerrë vendime për emërime në vetëm dy prej tyre.

Njëri prej atyre që ka shprehur interes për konsullatën e Kosovës në Strasburg dhe është përzgjedhur – Lulzim Hiseni, ishte kontestuar nga Shoqata Sindikale e MPJD-së për shkak të pretendimeve për parregullsi. Sipas tyre, Hiseni është ndër përfituesit e gradave në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar përmes Komisionit për Grada dhe Disiplinë.

Në mars të këtij vitit nga MPJD-ja u përjashtuan 11 zyrtarë që ishin pranuar nëpërmjet një konkursi të vitit 2012. Ata janë duke vazhduar betejën ligjore në instancat e tjera, pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e shpalli veten jokompetent për të vendosur rreth rastit, me arsyen se mungojnë aktemërimet. Por diplomatët e larguar pretendojnë se dosjet e tyre është dashur Ministria t’i vërë në dispozicion të organeve ankimore.

Por jo të gjitha vendimet e saj janë aprovuar nga Këshilli. Ato që i ka hedhur poshtë, ministrja ka refuzuar t’i zbatojë, siç është rasti i diplomatit Viskont Jakupi, të cilit Këshilli i dha të drejtë duke e cilësuar të paligjshme mënyrën sesi ishte shkarkuar diplomati. Jakupi brenda 24 orëve ishte tërhequr nga misioni diplomatik në Londër, me arsyen se ka “thënë një të pavërtetë të patolerueshme”. Por Ministria nuk ka treguar se cila ishte e pavërteta. Në mungesë të vendimmarrjes së Ministrisë, Jakupi ka nisur procedurën e ekzekutimit të vendimit përmes përmbarimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me parregullsi e shkelje ligjore janë përcjellë edhe konkurset e kaluara, të cilat kanë qenë të pakta në MPJD. Kësisoj, në vitin 2020, kur Ministria udhëhiqej nga Meliza Haradinaj, pati anuluar konkursin për 15 nëpunës në misione konsullore. Konkursi ishte anuluar pas raportimit të KOHËS se MPJ-së ia kishin mësyrë edhe familjarë dhe partiakë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministria e pati arsyetuar anulimin me ankesat e shumta të pranuara në MPJD nga aplikuesit.: