Arbëri

Caktimi i marzhës për fitim në produktet bazike mbetet vetëm ide

Descriptive Text

Çmimet e produkteve bazike vazhdojnë të rriten. Edhe pse Grupi parlamentar i Vetëvendosjes kishte paralajmëruar inicimin e një projektligji për kufizim të marzhës tregtare, ende nuk ka asnjë hap në konkretizimin e tij. Përfaqësuesit e bizneseve një ide të tillë e konsiderojnë shkelje kushtetuese. Kundërshtojnë edhe gjuhën e pushtetarëve në raport me bizneset, duke thënë se bën që barrën e mosmenaxhimit të krizës t’ua hedhin tregtarëve

Ka ditë që është propozuar hartimi i një projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazike. Por, partia në pushtet përveç idesë së paraqitur 10 ditë më parë në seancën kur diskutohej për rritjen e çmimeve, nuk ka bërë asnjë hap në konkretizimin e këtij projektligji.

Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, një propozim të tillë e kishte bërë me arsyetimin e sanimit të efekteve të rritjes së çmimeve.

“Është i nevojshëm miratimi dhe draftimi me procedurë të shpejtuar për të sanuar efektet e rritjes së çmimeve dhe për të vendosur një kontroll tek ata, të cilët në situatë krize shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar jashtë normave dhe etikës biznesore”, ka thënë Kusari-Lila.

Kjo u bë si kundërshtim i propozimit të Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës që propozoi suspendim të TVSH-së dhe të akcizës për një periudhë 3-mujore me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë.

Por më pas Kusari-Lila nuk u përgjigj nëse do të procedohet tutje kjo ide.

Edhe pse nuk ka hapa konkretë, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se caktimi i marzhës tregtare është shkelje kushtetuese dhe ndërhyrje në ekonominë e tregut.

“Çdo ndërhyrje që është e pabazuar dhe bazohet vetëm në një situatë, vetëm në një moment kohor, apo që realisht ndikon drejtpërdrejt në konkurrencën e barabartë në treg, është edhe nga aspekti parimor, nëse e sheh qartë, shkelje kushtetuese”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka kritikuar edhe gjuhën e Qeverisë ndaj bizneseve.

“Më ka shqetësuar gjuha e Qeverisë dhe e eksponentëve përreth Qeverisë që në njëfarë forme kanë për qëllim me na bind sikur faji është te tregtarët për këtë krizë. Tentojnë që me rezoluta dhe veprime politike ta prezantojnë krizën, duke thënë se ka problem te marzhat e tregtarëve dhe se nuk është problemi që ne nuk po menaxhojmë me krizën dhe që po importojmë produkte që janë më të shtrenjta”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, që janë ato të muajit maj, shkalla e inflacionit ka arritur në nivelin e 12.5 për qind, që është ndër nivelet më të larta në histori të shtetësisë.

Barra më e madhe e kësaj bie mbi qytetarët.

Ditë më parë në disa komuna është rritur çmimi i bukës për 10 centë, nga 50 centë një bukë tani në Gjilan dhe Pejë kushton 60 centë. Por Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë është duke hetuar arsyet e rritjes së çmimit të bukës.

Kryeinspektorja e Tregut, Lebibe Haliti, ka thënë se janë duke i parë edhe kostot e furnizimit me produkte, siç janë mielli, vaji dhe produktet e tjera të nevojshme për bukë dhe për të parë nëse rritja është bërë në mënyrë artificiale apo jo.

Nga Shoqata e Mullisëve kanë deklaruar se nuk ka pasur një rritje të çmimit të miellit dhe se tani kur veçse ka filluar fushata e korrje-shirjeve, çmimi i miellit pritet të bjerë.

Megjithatë, rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikuar në rritjen e kostos së transportit, e cila më pas ka ndikuar edhe në prodhim dhe në produkte të tjera.

Qeveria ka marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate, gjë që ka ndikuar që çmimi i naftës dhe i benzinës të pësojë rënie të lehtë.

Rritja e çmimeve ka filluar qysh në kohën e pandemisë, e i ka dhënë hov ndikimi i agresionit rus ndaj Ukrainës.

Sipas një raporti të Institutit GAP, marrë parasysh se Kosova është importuese e shumicës së produkteve, rritja e çmimeve është reflektuar menjëherë.

Edhe pse nuk dihet se kur do të përfundojë lufta mes këtyre dy shteteve, pritjet janë që në periudhën afatmesme të mos ketë stabilizim të çmimeve të konsumit dhe zëvendësim të lehtë të prodhimit që vjen nga Rusia.

GAP-i kishte propozuar që të dizajnohen masa që ndërlidhen me rritjen e kostos së shportës së konsumit për qytetarët në nevojë.

Pas përfundimit të fushatës së korrje-shirjeve, fermerët presin që të sigurohet rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës për ushqim. Por, kanë paralajmëruar edhe vështirësi në furnizim nga importi, për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë dhe bllokimit të eksporteve nga Ukraina dhe Rusia.

Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë.

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se sipërfaqja e drithërave të mbjella në Kosovë është 33 për qind më e madhe sesa vitin e kaluar, ndërsa totali është 91.436.11 hektarë, bazuar në të dhënat e marra nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

Siç njoftoi Ministria të shtunën, për misrin rritja e sipërfaqeve të mbjella është 90.93 për qind, apo 36.901.66 hektarë.

“Nga të dhënat që posedojmë deri më tani si institucion, teksa procesi i korrje-shirjeve është në vazhdimësi dhe akoma nuk është finalizuar, vetëm me grurë janë rreth 66.159.52 hektarë të mbjella. Kjo shifër përfshin edhe sipërfaqet nën dy hektarë, ndërsa mbi dy hektarë numri i sipërfaqeve të mbjella është 51.282.96 hektarë me një rritje prej 15.55% krahasuar me vitin e kaluar, ku sipërfaqet e mbjella me grurë mbi dy hektarë kanë qenë rreth 44.381.83 hektarë”, thuhet në njoftim.

MBPZHR-ja shkruan se nga terreni raportohet që rendimenti në shumicën e vendeve e tejkalon mesataren prej 4000 kilogramësh për hektar.

“Në baza javore pranojmë informata prej drejtorive komunale të bujqësisë, në bazë të të cilave edhe përditësohet Raporti i të dhënave rreth korrje-shirjeve”, thuhet tutje në njoftim.

Vetëm pas përfundimit të korrje-shirjeve do të dihet saktë se si qëndron Kosova me rendimente.