Arbëri

PDK për rendimentin e grurit: Shifrat zyrtare e demantojnë keq qeverinë

Koordinatori për Bujqësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli, ka reaguar ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, lidhur me rendimentin e grurit për këtë vit, për çka kjo ministri njoftoi se sipërfaqja e drithërave të mbjella në Kosovës është 33.04% më shumë se vitin e kaluar.

Ismajli ka thënë se shifrat zyrtare janë publike dhe “demantojnë keq këtë qeveri”, e cila sipas tij, në çdo sektor po mburret me rritje, duke bërë krahasime vetëm me vitin 2021 kur vendi ka pësuar nga pandemia.

“Derisa ministri Peci thekson me mburrje se këtë vit Kosova kishte të mbjella 66 mijë hektarë me grurë duke e paraqitur këtë shifër si thyerje rekordi krahasuar me vitin e kaluar, ai po ‘harron’ të shikojë rendimentet e para pak vitesh 2012-2017 kur Peci nuk ishte ministër e kur në Kosovë fermerët mbillnin nga 89 mijë e deri në mbi 100 mijë hektarë tokë me grurë. Këto shifra dëshmojnë se qeveria aktuale i ka harruar bujqit. I ka braktisur ata dhe nuk po i mbështetë. Përkundrazi, po i dekurajon duke mos i subvencionuar dhe duke mos krijuar lehtësira për punën fisnike që bëjnë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ismajli ka thënë se për shkak se bujqit këtë vit nuk kanë mbjellë tokat e tyre, sektorë të ndryshëm do të pësojnë keq, e kjo sipas tij, “do të shihet më së miri vitin e ardhshëm”.