Arbëri

Rikthehet çështja e pensioneve për familjet e mjekëve që e humbin jetën në detyrë

Oda e Mjekëve kërkon që institucionet ta rregullojnë me ligj çështjen pensionale të familjeve të mjekëve të cilët e humbin jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Si model duhet të merret Policia e Kosovës. Më herët për këtë OMK-ja ka kërkuar mbështetje nga kryeministri e Ministria e Shëndetësisë, por kërkesa e tyre është refuzuar. Tash i është rikthyer asaj nisme që ndërmori në janarin e vitit të kaluar

Ashtu siç e ka të rregulluar Policia e Kosovës, edhe mjekët kërkojnë që me ligj të rregullohet çështja pensionale e familjeve të kolegëve të tyre të cilët e humbin jetën gjatë ushtrimit të detyrës.

Por një kërkesë e bërë nga Oda e Mjekëve në kohën e Qeverisë Hoti nuk ka gjetur mirëkuptim.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë se ata në janar të vitit të kaluar u janë drejtuar me shkrim kryeministrit e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Fatkeqësisht rasti i fundit, do të thotë me punëtor që humbi jetën gjatë aksidentit në komunikacion me autoambulancën në drejtim të shpëtimit të një jete, i dha të drejtën Odës për fillimin, iniciativën që e kemi marrë në janar të vitit 2021, ku ne nëpërmjet një shkrese u jemi drejtuar ish-kryeministrit Hoti dhe ish-ministrit Zemaj që të bëhet një rregullore, e cila, domethënë, në një mënyrë si pasqyrim i asaj që e kanë Policia e Kosovës përmes së cilës do të rregullohet çështja pensionale e familjeve të mjekëve të cilët e humbin jetën gjatë ushtrimit të detyrës”, ka thënë ai.

Sejdiu ka treguar se fillimisht patën nisur punimet për draftimin e rregullores, ndërkaq në fund kjo çështje është refuzuar.

“Ne kemi dërguar përfaqësuesin tonë, kemi marrë si model rregulloren e Policisë dhe puna, pasi që ka filluar me një temp të ngadalshëm, por gjithsesi pati filluar, dhe në momentin kur janë përfunduar zgjedhjet parlamentare, menjëherë e kemi marrë një shkresë prej kryetarit të Komisionit, që ishte atëherë prej Z. Zemaj, se kjo nuk është çështje që u takon atyre, por duhet Ministria e Punës”, ka shtuar ai.

Një kërkesë të ngjashme ekzekutivit ka thënë se ia ka dërguar edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka ngritur zërin dhe i ka ndërmarrë veprimet e duhura edhe duke i përdorur mjetet e veprimit sindikal – protestat dhe mjetin e fundit të veprimit sindikal – grevën, dhe ka kërkuar nga partneri social – Qeveria, që Ligji për sigurimin pensional, i miratuar dhe i shpallur qysh më 2014, të nisë dhe të zbatohet sa më parë. Partneri social – Qeveria, ka premtuar se ligji do të bëhet funksional dhe pas aktivizimit edhe të bordit drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, shpresojmë se do të merret me fondet shëndetësore dhe të krijojë bazën e duhur për sigurimin shëndetësor”, ka thënë Hykolli.

Ai ka shtuar se BSPK-ja nuk do të ndalojë së vepruari në drejtimin e përmirësimit të kushteve të punës.

As Qeveria e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje.

Kjo kërkesë është riaktualizuar pas vdekjes në aksidentit trafiku të mjekut të Mjekësisë Familjare në Gjakovë. Doktor Mentor Salihu ishte anëtar i OMK-së, doktor në QKMF në Gjakovë. Në kohën e aksidentit i ndjeri ishte në krye të detyrës.