Arbëri

Për 5 muaj, mbi 350 raste të falsifikimit të parave

Shkaku i sasisë së madhe të parasë false që ndodhet në qarkullim, disa biznese kanë vendosur të mos i pranojnë monedhat prej 2 eurosh dhe as kartëmonedhat prej 200 e 500 eurosh. Në Agjencinë për Forenzikë treguan se çfarë i dallon paratë false nga origjinali. E në Bankën Qendrore thanë se falsifikimi i parasë paraqet rrezik për ekonominë e vendit dhe prodhon efekte negative në shoqëri

Qarkullimi i madh i parave të falsifikuara e ka shtyrë një biznes karburantesh që të mos e pranojë monedhën prej 2 eurosh dhe as kartëmonedhat 200 e 500 eurosh.

Pronari i pikës së derivateve që gjendet në dalje të Fushë-Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se bizneset janë atakuar shumë nga paratë e falsifikuara, meqë u janë shkaktuar edhe shumë dëme. Shkaku i kësaj janë detyruar të veprojnë në këtë mënyrë, duke marrë masa për shkak të sigurisë.

“Ne jemi detyruar qe te njoftohen qytetaret se ne treg ka para te falsifikuara, sidomos 2 euro”, ka thënë Berjani.

E në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë ndodhet divizioni për dokumente dhe nënshkrime, që merret edhe me ekzaminimin e kartëmonedhave e monedhave.

Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, monedha metalike 2-euroshe dhe kartëmonedha 100- euroshe janë më të falsifikuarat dhe qarkullojnë në Kosovë.

Vjollca Mavriqi thotë se trendi i falsifikimeve të parave është në rritje kohëve të fundit.

“Për periudhën e njëjtë kohore janar-maj 2021 dhe 2022, kartëmonedha më e falsifikuar është kartëmonedha në vlerën prej 100 eurove. Vitin e kaluar ka qenë më e falsifikuar, ndërsa sivjet si sasi, si numër, është në rënie pak. Por, gjithsesi ekziston numër i madh i kartëmonedhave të falsifikuara dhe tash është rritur numri i falsifikimeve me theks të veçantë monedhat”, ka treguar ajo.

Mavriqi thotë se monedha 2-euroshe e falsifikuar është më pak e dallueshme nga ajo origjinale. Ajo tregon se si munden qytetarët të identifikojnë një kartëmonedhë false nga ajo origjinale. Një nga mënyrat është kur shikohen tiparet kundrejt dritës.

“Kjo bëhet duke e ngritur me një distancë të caktuar kundrejt dritës, edhe mund ta dallojmë shenjën ujore e cila duhet të jetë e hijezuar dhe është e integruar në letër. Një tipar tjetër i rëndësishëm është edhe valuta numerike në këtë kartëmonedhë dhe duhet të përputhet me saktësi...”, ka thënë Mavriqi. “Tipar tjetër që mundet të dallohet është edhe hologrami”.

Në Bankën Qendrore në Kosovë kanë thënë se falsifikimi i parasë paraqet rrezik për ekonominë e vendit dhe prodhon efekte negative në shoqëri.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, thotë se falsifikimi i parave mund të rrisë edhe çmimet.

“Falsifikimi i parasë është krim që në mënyrë të vazhdueshme paraqet rrezik për ekonominë e çdo vendi pa përjashtim dhe është burim i humbjes financiare të shoqërisë. Efektet e dëmshme që paratë e falsifikuara shkaktojnë në shoqëri kanë të bëjnë me zvogëlimin e vlerës së parasë reale; rritjen e çmimeve (inflacionit) për shkak të qarkullimit të më shumë parave të gatshme në ekonomi si pasojë e rritjes artificiale dhe të paautorizuar të ofertës së parave”, thotë Ahmeti.

E në Policinë e Kosovës, për veprën penale “falsifikim i parasë” janë iniciuar 355 raste për përudhen janar-maj 2022.

“Policia e Kosovës kurdo dhe në çfarëdo forme kupton-merr informacion se është kryer një vepër penale, ndërmerr veprimet policore që parashihen për trajtimin e veprimtarisë penale. Falsifikimi i parave është vepër penale dhe policia i trajton ato raste siç parashihet me procedurat policore. Kështu, gjatë vitit 2021 policia ka iniciuar dhe trajtuar 866 raste të falsifikimit të parave, kurse deri në fund të majit 2022 ka trajtuar (iniciuar) 355 raste”, thuhet në një përgjigje të Policisë.

Megjithëse në rrjetet sociale, vazhdimisht janë duke u shpërndarë njoftime për shitjen e parave false, në Polici nuk kanë treguar nëse është nisur ndonjë hetim për këto raste dhe as nuk është treguar nëse dihet për origjinën e parave të falsifikuara.