Arbëri

233 pacientë me kancer në pritje të marrëveshjes mes Kosovës dhe Shqipërisë

Edhe këtë të premte 233 pacientë me kancer në Klinikën e Onkologjisë e kanë kaluar pa marrjen e terapisë ditore. Ministria e Shëndetësisë, që dje njoftoi se është në bisedime me Ministrinë në Shqipëri që ajo t’ua ofrojë këtyre pacientëve shërbimet onkologjike, sot nuk ka dhënë sqarime se kur do të nisen pacientët për radioterapi, e cila është jetike për shëndetin e tyre

Tetë ditë kanë kaluar qëkur pacientëve me kancer u është ndërprerë marrja e terapisë ditore për shkak mosfunksionimit të aparaturave në Klinikën e Onkologjisë, e të cilat u dëmtuan nga depërtimi i ujit në hapësirat ku ishin vendosur ato.

Ministria e Shëndetësisë të enjten ka njoftuar se është në bisedime me autoritetet shëndetësore të Shqipërisë për t’u ofruar shërbimet onkologjike pacientëve nga Kosova. Por, përderisa pacientët e kanë kaluar edhe një ditë pa radioterapi, MSH-ja nuk ka treguar se kur dhe si do të bëhet nisja e tyre për në Shqipëri.

“Dje jeni informuar se cilat do të jenë angazhimet rreth kësaj çështjeje nga ana e MSh-së dhe SHSKUK-së për të bërë zgjidhje për pacientët. MSH-ja është në kontakt me autoritetet e shteteve të tjera për të bërë zgjidhje dhe pacientët, familjarët dhe publiku do të njoftohen me kohë për atë se si do të mund të ndihmohet ky shërbim mjekësor dhe pacientët në këtë rast nga shtete e tjera, pas kërkesës së MSH-së”, kanë thënë nga ministria.

Ani se mungojnë detajet për marrëveshjen me Shqipërinë, bazuar në nenin 4 të Udhëzimit Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të aplikojë për këtë trajtim, kur shërbimi i caktuar shëndetësor nuk ofrohet në institucionet publike shëndetësore. Ata duhet të kërkojnë një raport, mendim konzilar nga një ekip prej tre mjekësh që dëshmon diagnozën, si dhe urgjencën e pacientit. Sipas këtij udhëzimi, shpenzimet mbulohen edhe për radioterapi.

“Të gjitha rastet të cilat nuk mund të kryejnë shërbimet në repartin e Radioterapisë, në rast të mosfunksionimit të aparaturave më shumë se një javë”, thuhet në shtojcën numër 1, ku përfshihet lista e shërbimeve shëndetësore që mbështetet nga Programi për TJISHP.

KOHA ka pyetur në Ministri nëse i kanë njoftuar pacientët për këtë alternativë, por nuk ka marrë përgjigje. Në Klinikën e Onkologjisë kanë thënë se janë në pritje të vendimit të MSH-së, për të bërë listën e pacientëve në mënyrë grupore, derisa edhe mundësinë e trajtimit individual të tyre e kanë quajtur çështje procedurale të Ministrisë.

Onkologu dhe drejtori i Onkologjisë, Ardian Millaku, ka treguar për rëndësinë e radioterapisë.

“Radioterapia është një prej llojeve të trajtimit në Onkologjisë. Ne kemi kimioterapinë, terapinë hormonale, po edhe trajtimin me rreze është një prej atyre protokolleve që përdoret për disa lloje të tumoreve, të sistemeve që atakon kjo sëmundje malinje. Është një pjesë shumë e rëndësishme e trajtimit në aspektin onkologjik”, ka thënë Millaku.

Pajisjet për radioterapi janë jashtë funksionit pas përmbytjes të së enjtes së kaluar si pasojë e reshjeve të shiut.