Arbëri

Pacientët ankohen se në QKUK nuk bëhen analizat e thjeshta

Analizat fillestare për ta verifikuar funksionimin e gjëndrës tiroide; T3, T4, TSH, si dhe ato imunologjike; CEA, CA 19-9 e të tjera, që zbulojnë praninë dhe përhapjen e tumoreve, janë në mesin e atyre që nuk kryhen në QKUK. Për pasojë, pacientët detyrohen të shkojnë tek institucionet private. Për të marrë qëndrimin zyrtar, dy herë brenda katër muajve KOHA ka tentuar që të intervistojë drejtorin e Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli dhe atë të Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu, por me gjithë vullnetin e tyre, menaxhmenti i QKUK-së nuk ua ka dhënë lejen të flasin për publikun

Pacientët që shkojnë për analiza në Klinikën e Biokimisë po detyrohen të kthehen prapa për shkak të mungesës së materialeve për kryerjen e tyre. Analizat fillestare për ta verifikuar funksionimin e gjëndrës tiroide; T3, T4, TSH, si dhe ato imunologjike; CEA, CA 19-9 e të tjera, që zbulojnë praninë dhe përhapjen e tumoreve, janë në mesin e atyre që nuk kryhen në këtë institucion. Për pasojë, pacientët detyrohen të shkojnë tek institucionet private. Në laboratorë privatë vetëm dy analiza imunologjike kushtojnë 30 euro e ato të gjëndrës tiroide deri në 125 euro.

Në kushte anonimiteti, disa pacientë kanë treguar se këto analiza nuk realizohen që nga muaji prill.

“Sot isha tek onkologu në vizitë për mamin dhe i shkroi ca analiza. Dhe, erdha këtu te Biokimia, ku duhet me i bërë ato analiza. I pyeta se a bëhen këto të dyja, më thanë: Jo se nuk ka material. Kështu që, duhet të shkohet veç privat të bëhen”, ka thënë familjarja e një pacienti.

Pacientët janë ankuar se disa analiza nuk mund të kryhen as në Klinikën e Mjekësisë Nukleare.

KOHA ka raportuar edhe në mars për moskryerjen e shërbimeve në këto dy klinika. Atëkohë në Mjekësinë Nukleare analizat nuk bëheshin për më shumë se 8 muaj. Së fundmi raportohet të jenë furnizuar me material për kryerjen e disa prej tyre, porse për gjendjen aktuale nuk kanë dhënë sqarime në SHSKUK.

Dy herë brenda katër muajve KOHA ka tentuar që të intervistojë drejtorin e Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, dhe atë të Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu, por një gjë e tillë nuk i është lejuar nga menaxhmenti i QKUK-së. Edhe pse drejtorët kanë shprehur vullnetin që të flasin publikisht për këtë, pa ndonjë arsye të veçantë, menaxhmenti ka refuzuar lejen gjatë javës.

KOHA ka dërguar pyetje në QKUK duke kërkuar sqarime se cila është arsyeja e mbylljes ndaj publikut për këtë çështje dhe e moslejimit të drejtorëve për prononcim, pavarësisht interesimit të tyre, duke kërkuar njëkohësisht përgjigje rreth asaj se ku qëndron problemi lidhur me mosrealizimin dhe ngecjen e këtyre shërbimeve, por nuk ka marrë përgjigje.

Analizat për hormonet T3, T4 dhe TSH janë bazike për të verifikuar funksionimin e gjëndrës tiroide.

CEA-“Tumor markerët” është një analizë e thjeshtë dhe e lehtë e cila zbulon prezencën e mundshme të kancerit në trupin e njeriut dhe përhapjen e tij. CA 19-9 përdoret për të ndihmuar në monitorimin e përgjigjeve ndaj terapisë së tumorit pankreatik dhe në zbulimin e përsëritjes së sëmundjes.

Sipas burimeve të KOHËS, shërbimet e analizave janë stopuar për shkak të problemeve të procedurave të prokurimit dhe bllokimit të çështjes në OSHP. KOHA po ashtu është informuar se ditë më parë është nënshkruar një kontratë dhe pritet furnizimi me material brenda dy javësh.