Arbëri

Ilazi: Rreth 300 qytetarë dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm, po i presim rezultatet bakteriologjike

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka njoftuar se rreth 300 qytetarë të fshatrave të kësaj komune, dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm, për çka kanë marrë edhe trajtim mjekësor.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së të enjten, Ilazi ka thënë se kanë kaluar tri ditë prej kur është ngritur ky shqetësim.

“Tanimë është dita e tretë prej kur ka filluar ky shqetësim, kemi një numër më të madh të pacientëve që kanë kërkuar trajtim për shkak të barkqitjeve, e simptomave të tjera si vjellja. Dyshimet janë që ky helm mund të ketë rrjedhë nga uji i pijshëm i disa fshatrave në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë ai.

Ilazi ka shtuar se pas raportimit të këtyre rasteve, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka marrë mostra të ujit, ndërsa nga analiza kimike që është bërë të mërkurën ka dalë se uji nuk është i kontaminuar, ndërsa tani pritet që të premten të dalin edhe rezultatet e analizës bakteriologjike.

“Nesër (e premte) i presim analizën bakteriologjike, shpresojmë nga ajo të dalim me një konkludim më të saktë. Deri më tani sipas raportit që e kemi nga QKMF-ja, diku rreth 300 pacientë kanë marrë trajtim mjekësor. Me të njëjtat simptoma kemi qytetarë nga disa fshatra të komunës së Kaçanikut andaj nuk mund të themi asgjë derisa të dalin rezultatet”, ka thënë ai, duke treguar se helmimi dyshohet se ka prekur qytetarët e fshatit Dubravë, Rekë, në lagjet Vataj dhe Vishaj, deri në fshatin Nikaj, zonë kjo me rreth pesë mijë banorë.

“Kemi rekomanduar se derisa të marrim analizën nga IKSHPK-ja, ata që kanë mundësi të mos e përdorin ujin e pijshëm”, ka shtuar ai.