Arbëri

Quni: Serbia po i vazhdon aktivitetet kriminale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, deklaroi të enjten se Serbia po i vazhdon aktivitetet kriminale, nëpërmjet krijimit të situatave tensionuese. Ai tha në DESK-un e KTV-së, se shteti serb po e vijon luftën speciale, ndonëse sipas tij, kjo nuk do të mund të krijojë efekt.

“Regjimi i Beogradit ende vazhdon me stereotipet e vjetrat. Përdorin forma kriminale, që me deklarime e veprime mundohen të krijojnë situata të tensionuara, që të krijojnë favore për parakusht në bisedime. Si Arkani e Shesheli që kanë udhëhequr njësi paralimitare që shteti heq dorë, edhe kjo është një llojë formë e luftës speciale”, deklaroi Quni.

Ndërkohë , deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, është njeri me sfond kriminal dhe po përpjeket që të kryejë aktivitetin e tij kriminal në Kosovë.

“Ai ka pasur qëllim t’i sfidojë institucionet e Kosovës. Radojiçiqi pati mesazh për popullatën serbe në veri. Mesazhi kryesor ka qenë ndaj njerëzve të rëndomtë në veri, që ‘ende jam i fortë, e duhet t’i nënshtroheni aktivitetit kriminal’. Shumica e banorëve serbë janë në presion të madh sepse Serbia i ka urdhëruar të mos shkojnë në pushime sivjet”, tha Qalaj.