Arbëri

Deliu-Kodra: Byroja Shtetërore mund të shfrytëzohet për hakmarrje politike

Descriptive Text

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në mënyrën se si është dërguar në Kuvend, mund të shfrytëzohet për hakmarrje politike.

E ftuar të enjten në emisionin “60 Minuta” në KTV, Deliu-Kodra ka thënë se Byroja Shtetërore, projektligji për të cilën është dërguar në Kuvendin e Kosovës, “rrezikon të marrë formën e një byroje politike që mund të bëhet mashë e secilit pushtet për të ndjekur persona të caktuar”.

Ajo ka thënë se koncept-dokumenti që ka kaluar në Kuvend, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të cilin, sipas saj, vërejtje ka pasur edhe Komisioni i Venecias.

“Çështja e Projektligjit për Byronë do të duhej të ishte e interesit shtetëror. Para një kohe ne e kemi trajtuar edhe në Komisionin për Legjislacion. Ndonëse ka pasur shterje të debatit, në momentin para votimit, Kryetari i Kuvendit kishte hamendje dhe kërkoi që të marrë konfirmim nga Komisioni i Venecias, nga ku kemi marrë edhe vërejtje. Znj. Haxhiu vetë e pranon që ka shkelje që i adreson Komisioni i Venecias”, ka thënë ajo.

Sipas Deliu-Kodrës, ky Projektligj kritikat më të mëdha i ka marrë nga shoqëria civile.

“Shoqëria civile për rreth 90 për qind të përbërjes së këtij projektligji e ka kontestuar. Qeveria ka vendosur që drejtori i byrosë të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të deputetëve që kanë të drejtë vote në sallë. Kur kemi argumentet që drejtori zgjidhet me pak vota të deputetëve dhe kjo nuk është problem i vetëm përbërjes parlamentare por i shtetit në tërësi”, ka thënë ajo.

Deputetja e partisë më të madhe opozitare ka thënë se ky subjekt është i gatshëm ta mbështesë një projektligj që nuk e shkel Kushtetutën.

“Kjo byro do të merret me çështjet civile, bazohet tërësisht në vullnetin e zyrtarit të kësaj byroje ta vlerësojë se cili do të jetë personi ndaj të cilit do të fillojë hetimi. Nuk e kundërshtojmë çdo mekanizëm që forcon sundimin e ligjit, jemi deri në fund mbështetës që bashkërisht ta forcojmë sundimin e ligjit në Kosovë. Kemi thënë të merren për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe trajtoni në përpikëri dhe ne do ta mbështesim atë”, ka shtuar ajo.

Deliu-Kodra: Dikush të japë përgjegjësi për keqpërdorimet në Ministrinë e Infrastrukturës

Deputetja Deliu-Kodra, ka thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi “për keqpërdorimet, korrupsionin, tenderët që u janë dhënë personave të afërm në Ministrinë e Infrastrukturës”, për të cilat PDK-ja ka tre muaj që sipas saj po flet.

“PDK-ja ndoshta për më shumë se tre muaj ka sensibilizuar çështjen e keqpërdorimeve në Ministrinë e Infrastrukturës, së fundi kemi edhe zyrën kombëtare të Auditimit që raportin e konsideron të kualifikuar dhe atë që kemi kërkuar nga Ministri sot është që ku ka raport të kualifikuar për keqpërdorim, korrupsion, tenderë që u jepen personave të afërm, dikush duhet të japë përgjegjësi, krejt çka kemi kërkuar nga ministri Aliu sot është që të na informojë se çka po ndodhë”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra shtoi se në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ka qenë vetë ministri Aliu që ka pranuar se ka tendenca për keqpërdorime brenda ministrisë që ai drejton.

“Sot e tha vetë ministri Aliu që ka tendenca të brendshme, e tha që do të ftojë edhe prokurorinë dhe pyetja ime ishte pse nuk e keni ndaluar kur e keni ditur që ka raste të tilla, e keni pasur mundësinë si ministër që të merrni një vendim dhe këto shkarje t’i ndaloni”, ka thënë ajo.