Arbëri

Gërvalla: Në MPJD, as më shumë e as më pak se sa meritokraci e profesionalizëm

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se “asgjë më shumë e as më pak sesa meritokraci dhe profesionalizëm“ nuk është duke ndodhur në institucionin që e drejton.

Ky reagim i Gërvallës vjen pasi konsulli i Republikës së Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, e ka akuzuar atë për shkarkim që bazohet “në urrejtje dhe paranoja”.

“Kemi premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës. Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo ka shtuar se punësimet ilegale në këtë ministri, që sipas saj janë bërë në të kaluarën, janë shfuqizuar, duke paralajmëruar se njëjtë do të ndodhë edhe në të ardhmen nëse konstatohen të tjera.

“Nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë tonë. Prandaj: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit”, ka shkruar ajo.

Përmes një letre që Krasniqi i ka dërguar Gërvallës, ka thënë se njoftimin për mbarim të marrëdhënies së punës e ka marrë përmes e-mailit nga zëvendëssekretari ipPërgjithshëm i MPJD-së, Behar Isma.

Sipas tij, vendimi i Gërvallës është kundërligjor dhe i paprecedent përgjatë funksionimit të deritashëm të Shërbimit të Jashtëm.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka pretenduar se Gërvalla ka urdhëruar largimin e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Konsullata në New York.