Arbëri

Urdhërarrestet ndaj Radojçiqit, ende në fuqi

Urdhërarrestet ndaj Milan Radojçiqit, për rastin “Brezovica” dhe ai për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, janë ende në fuqi.

Se është aktiv urdhërarresti ndaj Radojçiqit për rastin “Brezovica”, ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, për KOHËN.

Të martën, Radojçiqi iu adresua publikut me një videomesazh nga veriu i Kosovës. Duke nisur me fjalët se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”, Radojçiqi ka shtuar se është kthyer në veri e se “s’ka më kthim prapa”.

Megjithatë, Maloku në një përgjigje për REL-in ka shprehur dyshime për kohën kur është realizuar videoja.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia s’kanë komentuar informacionet nëse Radojçiqi gjendet në Kosovë. Aulonë Bytyqi, asistente e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se “grupi i tij, padyshim do të ketë fatin e 63 grupeve që e kanë pasur deri tani”, duke iu referuar numrit që Qeveria e përmend për grupet kriminale të shkatërruara. Në një shkrim në Facebook, ajo është marrë edhe me lidhjet e Radojçiqit me pushtetet, duke përmendur edhe takimin e famshëm me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Mos të kish qenë bashkëpunëtor i tyre, do të shpërthenin deklaratat se si Radojqiç lajmërohet nga veriu e dështoi shteti. Nëse dikush e ka pasur të pamundur të adresojë hallin e tij në cilindo institucion, Radojqiç është pritur zyrtarisht nga një ish-kryeministër, në objektin e Qeverisë. Disa që sot thirren analistë e gazetarë, në të kaluarën kanë ndarë fatin si pronarë të gurëthyesve me bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij. Radojqiç dhe banda e tij kriminale janë imunizuar ndër vite, bile edhe janë faktorizuar, janë kontraktuar e paguar nga të hollat tona si taksapagues. Grupi i tij padyshim do të ketë fatin e 63 grupeve që e kanë pasur deri tani. E kemi vullnetin për ta bërë këtë dhe e kemi dëshmuar deri tash në çdo cep të Republikës sonë. Edhe atje nga ku krahu i djathtë i Vuçiqit na u lajmërua”, ka shkruar ajo në Facebook.

Autoritetet në Kosovë këtë vit kanë lëshuar një urdhërarrest për Radiojçiqin pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”, përkatësisht për “frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale”. Rasti “Brezovica” ka të bëjë me lëshimin e lejeve të kundërligjshme në kompleksin turistik në Brezovicë.

Ndaj Milan Radojçiqit më herët kishte pasur edhe një fletëarrest nën dyshimet se kishte qenë i përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, ai urdhërarrest ishte tërhequr pa shpjegim në mars të vitit 2021. Urdhërarresti ishte kthyer sërish, ka mësuar KOHA.

Radojçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.