Arbëri

Zejnullahu: Presim deri në 30 për qind rendiment më të ulët të grurit sesa vitin e kaluar

Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka thënë se rendimenti i grurit është i ulët dhe cilësia është jo e kënaqshme. Ai ka thënë se fermerët nuk janë të kënaqur dhe se këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar presin deri në 30 për qind më pak rendiment.

Zejnullahu ka thënë se janë shumë faktorë që kanë ndikuar në cilësinë e grurit. Ai ka thënë se ka pasur shumë thatësi.

Sipas tij, faktor tjetër është edhe kosto për blerjen e plehrave artificiale ku çmimi i tyre është rritur për 200 për qind.

“Subvencionet janë shumë të vonuara. Me subvencione jemi më së miri në rajon. Është rritur tepër shumë kostoja. Brenda territorit të Kosovës kemi ndryshime të cilësisë varësisht nga territori. Ne ende nuk kemi arrit të themi që te gruri mungon ndonjë element për shkak se tash kanë filluar korrje-shirjet. Ne jemi të varur nga importi dhe duhet të kërkojmë përmirësues të grurit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se as në regjion nuk prodhohen cilësi shumë të mira të grurit.

Sipas tij, Ukraina dhe Rusia kanë grurë shumë më cilësor se sa komplet Ballkani.

Zejnullahu ka thënë se ky vit ka qenë shumë sfidues porse sipas tij, mullisët ja kanë dalë shumë mirë.

“Që nga muaji mars mielli në Kosovë ka qenë më i liri në rajon. Tash kur e kemi grurin në dorë mund të flasim për këtë sasi dhe kualitetin që e ka gruri. Deri në 30 për qind presim më pak rendiment të grurit këtë vit krahasuar më vitin e kaluar”, ka thënë ai.