Arbëri

Pronarët e autobusëve nga Mitrovica e Vushtrria paralajmërojnë bllokim rrugësh

Descriptive Text

Gjashtë autobusë nga Vushtrria dhe Mitrovica të premten janë parkuar përballë objektit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit. Pronarë të tyre protestuan nga shkaku që institucionet lokale e qendrore nuk i kanë ndalur kombibusët që veprojnë ilegalisht. Janë paralajmëruar veprime më radikale, përfshirë bllokimin e rrugëve, nëse nuk do të ketë masa

Mëngjesi i së premtes, autobusët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, nuk i ka gjetur duke bartur udhëtarë. Shoferët i drejtuan ata te Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, pranë së cilës qëndruan për afër dy orë.

Aty, nëpërmjet një proteste, pronarët e kompanive të autobusëve kërkuan largimin e kombibusëve ilegalë në këto linja të udhëtimit, e edhe rregullimin e kushteve të punës.

Hashim Miftari, nënkryetar i Shoqatës së Autobusëve të Mitrovicës ka thënë se nëse institucionet vazhdojnë të hedhin topin te njëra-tjetra, do të marrin masa edhe më të rrepta.

“Kur kemi ardhur në ministri na kanë thanë që ‘ne nuk jemi kompetentë për këtë çështje, janë komunat, pasi kombit janë nga komunat’. Dje ishim në Vushtrri, na u tha në zyrë në takim, edhe para dy-tri ditësh në Mitrovicë që ‘ne nuk ju licencojmë, ne nuk ju japim orare, për këtë çështje është Inspektorati i ministrisë’. Kështu, që ne kemi mbetur në dorë të Allahut. Askush nuk merret me ne, veç na duhet me protestu”, ka thënë Miftari. “Këto tri protesta ishin të qeta. Tash pas një konsultimi edhe me kryetarët e sindikatës, do ta bllokojmë sigurisht rrugën”.

Kryetari i kësaj shoqate, Avni Boletini, ka folur për pasojat e kësaj gjendjeje.

“Nuk kemi asgjë kundër shtetit. Ki probleme, rrahje mes shoferëve të autobusit me të kombi-busëve në rrugë. Ka pasur edhe vrasje, për shkak të rendit të udhëtimit. Janë vrarë njerëzit. Në Skenderaj janë rrahur njerëzit. Në Mitrovicë ashtu, kanë dalë me shkop, e ka rrahur shoferin e autobusit, i ka hyrë në linjë të vet. Nuk po kërkoj asgjë tjetër, vetëm të respektohet ligji”, ka thënë Boletini.

Në Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat kanë folur për përpjekjet gjashtëmuajshe që ky institucion ka ndërmarrë për ndalimin e kombi-busëve ilegalë, por kanë thënë se nuk kanë pasur ndonjë rezultat afatgjatë.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka shprehur dyshimin e tij për moskryerje të detyrës nga ana e policisë dhe inspektorëve të transportit.

“Këshilltari i ministrit të Transportit na ka kërkuar vetëm tri ditë se do ta bëjë eliminimin e tyre. Është punuar nja dy-tri ditë në terren dhe ditën e tretë sigurisht ndoshta ata gjetën rrugën dhe gjithë punën që e bëri edhe ky këshilltar ra në ujë dhe gjithçka ka filluar nga zero”, ka thënë Azemi. “Edhe pse kryetari i Komunës të Mitrovicës dhe ai i Vushtrrisë na kanë premtuar se do ta eliminojnë këtë problem, por megjithatë nëse këta tre akterë nuk do të koordinohen dhe të eliminojnë kombibusët ilegalë, atëherë po del që vetë edhe shteti është ilegal, sepse nuk po i zbaton ligjet”.

Lidhur me kërkesat e shoqatës, KOHA gjatë ditës ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, në Komunën e Mitrovicës dhe në atë të Vushtrrisë, por nuk ka marrë përgjigje.

Brenda kësaj jave, drejtues të kompanive të autobusëve kanë protestuar tri herë.