Arbëri

Ministri Murati u kërkon falje luftëtarëve të UÇK-së

Descriptive Text

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar falje për publikimet që kishte bërë para disa vjetësh ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 2016, Murati duke komentuar ndarjen e pagesave për veteranët e luftës së UÇK-së qe shprehur se “tre muaj lufte të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shtrejtë se një ushtri e rregullt”. “Bile edhe mercenarë me pas angazhu na kish dalë ma lirë – 3 muaj ka dy mijë euro bajnë 6 mijë euro për kry – 20 mijë mercenarë (të përgatitun ushtarakisht) kishin me na kushtue veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me ju thanë”, pati deklaruar ai atë kohë.

Postimet bënë bujë së fundmi, ndërsa opozita kërkoi shkarkimin e tij. Partia Socialdemokrate njoftoi të premten se më 6 korrik ka planifikuar protestë me kërkesë për largimin e Muratit.

Po në Facebook, Murati tash ka kërkuar falje ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre. Ministri ka thënë se i përulet sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së UÇK-së. “Ky është qëndrimi im”, ka shkruar ai.

Murati ka thënë se shkrimet e asaj kohe kanë qenë “nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive”.

“Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve. E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, ka përfunduar Murati.

Deklaratat e tij morën reagime edhe më të mëdha javëve të fundit, pasi pushteti miratoi rritjen e pagës minimale duke mos përfshirë në rritje edhe pensionin e veteranëve të UÇK-së. Veteranët protestuan, ndërsa përfaqësues të tyre kanë takuar kryeministrin Albin Kurti për të arritur një zgjidhje.

Qeveria në vazhdimësi ka përsëritur se duhet të ketë pastrim të listave të veteranëve e më pas beneficione më të mëdha se paga minimale për ta.