Arbëri

MCC-ja miraton programin mbi 200-milionë dollarësh për Kosovën

Descriptive Text

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh, kanë konfirmuar Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja të premten. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, nga financimi 200 milionë dollarë janë në formë granti nga SHBA-ja, ndërsa rreth 35 milionë dollarë do të ndahen nga Qeveria e Kosovës. Dy milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim.

Qeveria ka thënë se programi do të përfshijë tri projekte: 1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh), 2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe 3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Sipas njoftimit, Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.

“Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë. Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë”, thuhet në njoftim.

Projekti i dytë synon të krijojë një program të studimit për të zhvilluar aftësitë e individëve që do të punojnë në këtë sektor dhe synon të ketë përfshirje më të madhe të grave.

Projekti i tretë është financim nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD). Sipas Qeverisë, “projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore”.

“Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër”, thuhet në njoftim.

“Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Ekonomisë.

Mirënjohës për vendimin e Bordit të drejtorëve të MCC-së është shprehur kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se deri tash ky paraqet investimin më të madh ndonjëherë për energjinë në Kosovë.

“Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për transicionin tonë të drejtë të energjisë. Falënderime të veçanta për të dyja ekipet tona për punën e shkëlqyer. Miq. Partnerë. Aleatë”, ka shkruar ai në Twitter.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka cilësuar këtë miratim si lajm të mrekullueshëm për Kosovën.

“Vendimi i sotëm i Bordit përfaqëson fazën e re të partneritetit të Shteteve të Bashkuara me Qeverinë e Kosovës dhe vazhdimin e përpjekjeve tona për të zhvilluar një të ardhme më të mirë për gati dy milionë kosovarë”, ka thënë shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright.

Qeveria e Kosovës ishte kritikuar nga opozita për vendimin që mos ta pranojë gazsjellësin amerikan TAP.

MCC-ja është një agjenci qeveritare amerikane që punon për të reduktuar varfërinë në botë. MCC-ja ofron grante dhe asiston shtetet që përmbushin standarde të qeverisjes, luftim të korrupsionit e respektim të të drejtave demokratike. U krijua më 2004.