Arbëri

MASHTI distancohet nga zgjedhjet në UP, thotë se nuk u përfill reputacioni akademik

Descriptive Text

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është distancuar nga procesi i zgjedhjeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Në një konferencë për media të mërkurën, Nagavci ka thënë se procesi nuk ka shkuar si duhet e se kjo u shkaktua nga “lakmi e vjetër”.

“Siç e kam thënë edhe në javën e kaluar, zgjedhjet e reja reflektuan situatë të vjetër. Lakmia e vjetër bëri që procesi të mos shkojë si duhet. E gjithë kjo reflektoi me proces jo të mirëfilltë dhe s’jemi të kënaqur. Nuk u përfill reputacioni akademik, por vetëm i interesave personale. U zgjodhën pesë anëtarë, prej të cilëve asnjë grua përkundër faktit se 60 për qind e stafit janë gra. MASHTI distancohet nga ky proces zgjedhor dhe aludimet se kemi ndërhyrë në proces nuk kanë asnjë bazë dhe janë tendencioze”, ka thënë ajo.

Ka qenë pikërisht Vetëvendosje, si parti në pushtet, që është akuzuar nga shoqëria civile se ka ndërhyrë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KD-së. Procesi u kritikua edhe për votimin e senatorëve të rinj nga Parlamenti Studentor, përkundër statutit të UP-së që specifikon që në votim marrin pjesë senatorët në fund të mandatit e jo ata të sapozgjedhur që mandatin e nisin në tetor.

Ditë më parë, Këshilli i Etikës në UP dënoi dy profesorë me mosmentorim të temave të diplomave për shkak të plagjiaturës. Ministrja ka thënë se vendimet e KE-së duhet të kenë efekt parandalues në hulumtime dhe publikime.

Ajo ka thënë se Ligji për Arsimin e Lartë do të dalë në dëgjim publik këtë muaj. “Për ndalimin e plagjiaturës do të jetë në dispozicion nga viti i ardhshëm pajisja antiplagjiaturë. Për këtë arsye i kam dërguar KD-së që t’i adresojë të gjitha adresimet, të gjitha kritikat për anëtarët e zgjedhur”, ka thënë Nagavci.

Për kërkesën e shoqërisë civile për verifikim të integritetit në arsimin e lartë, ministrja ka thënë se as MASHTI nuk ka hequr dorë nga vettingu.