Arbëri

35 organizata të shoqërisë civile kërkojnë “vetting” në arsim

Proces të “vettingut” dhe përjashtim të plagjiatorëve nga Universiteti i Prishtinës, kanë kërkuar 35 organizata të shoqërisë civile në një deklaratë të përbashkët për Qeverinë e Kosovës.

Zgjedhja e anëtarëve në Këshillin Drejtues të UP-së ditë më parë në një proces të akuzuar si politik dhe mospërjashtimi i profesorëve të cilët nga Këshilli i Etikës së UP-së janë shpallur plagjiatorë, ka bërë që, sipas 35 organizatave, të shpërfaqet përmbajtja jocilësore e institucioneve publike të arsimit të lartë në vend.

LEXO EDHE: 

Nis beteja politike për UP-në

Këshilli i Etikës dënon Kastratin e Dugollin për plagjiaturë, ORCA kërkon shkarkimin e tyre

Në kërkesën e tyre thuhet se angazhimet qe dy dekada po tregohen të padobishme. Kanë thënë se zhvillimet e fundit duhet të jenë alarm për shoqërinë.

“Në një proces zgjedhor ku senatorë të UP-së mund të jenë dhe janë: plagjiatorë tashmë të shpallur edhe nga Këshilli i Etikës, apo persona pa kredenciale akademike, persona pa integritet për pozitat që i mbajnë, nuk ka asnjë mundësi që rezultati i vet atij procesi të prodhojë një kualitet tjetër. Rrjedhimisht, përzgjedhja në Këshillin Drejtues e të personave me probleme të theksuara të integritetit akademik, e dëshmon në mënyrë të qartë se institucioni ka probleme serioze me cilësinë dhe integritetin akademik, dy nocione themelore në saje të së cilave ekziston universiteti. Edhe pas kaq vitesh rezistencë për universitet cilësor nga akterët e ndryshëm të kësaj shoqërie, gjithnjë ekziston tendenca, jo që proceset progresive të kthehen në pikën zero, por që këto procese të degradojnë në shkallë të paimagjinueshme”, thuhet në letër.

Në këto rrethana, sipas tyre, “verifikimi i kredencialeve akademike me theks - tezave të doktoraturës dhe punimeve shkencore, është bërë domosdoshmëri”.

“Është koha që institucionet e shtetit të fillojnë një proces kombëtar të verifikimit të kredencialeve akademike me qëllim pastrimin e strukturës së stafit akademik ashtuqë situata si të ditëve të fundit të mos jenë të mundura më. Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore. Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i shprehim universitetit zhgënjimin tonë të thellë që edhe në rastet kur nga vet organet e tij verifikohet plagjiatura e personave të caktuar, dënimet janë vetëm simbolike dhe në shpërputhje me praktikat globale. Prandaj, i thërrasim Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve tjera relevante të Arsimit të Kosovë që plagjiatura të lihet jashtë cilitdo institucion kur verifikohet ajo”, thuhet në kërkesë.

35 nënshkruesit:

ORCA

Arben Hajrullahu

ANIBAR

Balkan Art Zone

CEL Kosova

Center for Political Courage – CPC

Community Development Fund – KCDF

DardanaPress

DokuFest

EC Ma Ndryshe

Iniciativa për Histori Gojore

Instituti për Liri dhe Drejtësi

Instituti GAP

Junior Chamber International Prizren (JCI-Prizren)

Kino ARMATA

Kosovo Civil Society Foundation – KCSF

Lëvizja Fol

OJQ Admovere

OJQ Syri i Vizionit

OJQ Toka

OJQ Zana

Organizata Center for Education and Training Prizren – CETPrizren

Organizata CIPOF/Childproof

Organizata Çohu

Organizata EcoZ

Organizata Etea

Organizata Germin

Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K)

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Qendra për Arsim e Kosovës – KEC

Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë – AWESK

Shkelzen Gashi

Shoqata Afariste e Gruas She-ERA

Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan

Youth Initiative for Human Rights – Kosovo