Arbëri

Beqa: Kurti po humb kohë me formën si i është qasur dialogut

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për humbje kohe me mënyrën se si i është qasur dialogut me Serbinë. Sipas tij, Kurti po ndalet në çështje teknike dhe nuk po fokusohet në marrëveshjen e madhe e përfundimtare, siç po kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë.

Beqa ka akuzuar Kurtin dhe Vetëvendosjen për ndryshim qëndrimesh për marrëveshjet me Serbinë. Ai ka thënë se sa ishte në opozitë VV-ja e shihte si të keqe marrëveshjen për energjinë, ndërsa në pushtet ka ndryshuar qëndrim.

“Kosova ka humbur shumë nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje. Ne me vite të tëra kemi paguar energji elektrike për komunitetin serb që jeton në atë pjesë. Konsideroj se fajtore ka qenë Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin. S’ka diçka të re. Është marrëveshje që është penguar nga persona që sot po mbushen se kinse kanë arritur diçka të re. Kanë nxjerrë udhërrëfyes se si zbatohen ato marrëveshje. Mendoj se është çështje teknike që është penguar nga Vetëvendosje dhe tani po zotohet të zbatohet nga Vetëvendosje, por vetëm në pozicione të ndryshme: ‘atëherë ishte e keqe sepse VV-ja ishte opozitë e tash në pozitë e mirë sepse kryeministër është Albin Kurti’. Konsideroj se Kurti po humb kohë me formën se si i është qasur dialogut. Po ndalet në çështje teknike, si ajo për tabela, e shumë tjera. E kemi pa letrën e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe kancelarit gjerman që Kosova të fokusohet në dialogun përfundimtar në një marrëveshje të madhe ku hyjnë të gjitha edhe këto teknike. Forma që i është qasë ai, është sikur po do të blejë kohë e t’i humbë kohë qytetarëve. S’është formë e duhur. Kosova s’duhet të humbë kohë”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Beqa e ka quajtur Kurtin fajtor edhe për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, për bllokadat që i bëheshin ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi më 2016. Për këtë fajtore e ka cilësuar edhe presidenten Vjosa Osmani, atëkohë deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeti i PDK-së ka thënë se Qeveria po ashtu duhet të japë ide sepse ka ngelur “e bllokuar nga Evropa e as qasje reale ndaj iniciativave të Ballkanit”.

Sa i përket vettingut, Beqa ka thënë se PDK-ja përkrah një vetting “sipas rekomandimeve të Venecias”.

Beqa po ashtu ka thënë se ka tentime nga Qeveria që të ulen shifrat e inflacionit në statistikat në Agjencinë Statistikore të Kosovës. Këtu ka akuzuar për presion direkt ministrin e Financave Hekuran Murati.

Beqa ka thënë se edhe udhëzimi i Qeverisë për caktimin e çmimit maksimal dhe fitimit maksimal te naftëtarët s’ka bërë zgjidhje me ulje të çmimit. Sipas tij, vendimi ka qenë kundërkushtetues.

Për Komisionin Hetimor për energjinë për periudhën 2006-2021, Beqa ka thënë se pushteti ka kërkesa joserioze. Sipas ti,j duhet të reflektohet sepse në listën e zyrtarëve që po tentohet të ftohen për intervistim edhe zyrtarë që s’e kanë të mundur të vijnë, siç janë ish-krerët e shtetit e që tash po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale.

Ka thënë se do të jetë vështirë që të ketë një raport të mirëfilltë në fund për shkak të periudhës së gjatë kohore për të cilën ka mision hulumtimi komisioni.