Arbëri

Kurti për vizat: S’është në anën e Kosovës të bëjë diçka shtesë

Nuk është në anën e Kosovës të bëjë diçka shtesë sa i përket kritereve për liberalizimin e vizave, ka thënë të martën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në konferencën e mbajtur pas vizitës në Telekomin e Kosovës, Kurti ka thënë se nuk është në dijeni për udhërrëfyes të ri, teksa ka shtuar se ka kohë që janë plotësuar kriteret për lëvizje të lirë të qytetarëve.

Ai njoftoi se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të jetë në takim në Bruksel pas dy ditësh për çështjen e liberalizimit të vizave.

"Nuk jam në dijeni që ka kurrfarë kriteresh shtesë apo udhërrëfyes të ri. Ne i kemi plotësuar 95 kritere para shumë vitesh, që është shumëfishi i kritereve që kanë vendet fqinje. Dhe gjithashtu në të njëjtën kohë është jo vetëm Parlamenti Evropian por edhe Komisioni Evropian, i cili para katër vjetësh ka rekomanduar për herë të dytë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Dhe besoj që nuk është në anën e Kosovës të bëjë diçka shtesë sa i përket kritereve. Por, dua të ju njoftoj se brenda 48 orëve ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, do të jetë në takim në Bruksel me komisionaren e BE-së për Çështje të Brendshme që të diskutojë për të gjitha gjërat në raport me liberalizimin e vizave", ka thënë ai.

 


Kurti: Rritja e çmimit të bukës, shqetësuese

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, ka deklaruar se janë duke e parë me shqetësim rritjen e çmimit të bukës dhe se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do të dalë me një përgjigje lidhur me këtë çështje.

Pas takimit të zhvilluar të martën në Postën e Kosovës, Kurti ka njoftuar se janë duke diskutuar për vendosjen e masave me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

“I kemi marrë me shumë shqetësim këto informacione për çmime të rritura të bukës, që është ushqimi më elementar për qytetarët e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke e përgatitur një përgjigje të qeverisë sonë. Pra, kemi vënë tavanin për çmimin e naftës, duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë që të mos shfrytëzohen e të mos dëmtohen konsumatorët e vendit tonë. Ne duhet të shohim vlerësimin e MINT dhe të marrim masa adekuate si qeveri ta mbrojmë konsumatorin qytetar nga ata të cilët mund ta keqpërdorin situatën dhe të abuzojnë në këtë kohë krize”, ka deklaruar Kurti.