Arbëri

Ministrja Haxhiu paralajmëron takime me opozitën për vetingun

Descriptive Text

Brenda kësaj jave pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, t’ju dërgojnë ftesa liderëve të partive opozitare për takim.

Temë diskutimi në këto takime që do të mbahen veçmas me partitë opozitare do të jetë procesi i vetingut, për të cilin ministrja Haxhiu, zotohet se do ta mbyllë brenda mandatit të saj.

Haxhiu u shpreh se reforma në drejtësi kërkon unifikim politik, prandaj u shpreh se bashkë me Kurtin kanë planifikuar takime me partitë opozitare.

“Ne planifikojmë që së bashku me kryeministrin që t’i takojmë grupet opozitare fillimisht që t’i njoftojmë ata edhe për planifikimet që i kemi në raport me procesin dhe t’i ftojmë në qoftë se kanë çështje që mendojnë që duhet t’i adresojnë që ta bëjnë ata. Është e vërtetë që nuk është praktikë që ende pa u përmbyllur hartimi i dokumenteve pranë ministrive të japin kontribut partitë opozitare, sepse pastaj kontributi i tyre jepet në Kuvendin e Kosovës, mirëpo duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procesit dhe domosdoshmërinë për ta përmbyllur me sukses këtë proces ne do t’i ftojmë subjektet opozitare në takime. Do të ftohen ndaras më parë, veç e veç, grupet parlamentare, gjegjësisht liderët e partive politike në këto takime. Uroj që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës sonë për takime”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.

Për këtë proces, të cilin Qeveria e kishte planifikuar në të gjithë sistemin e drejtësisë, por Komisioni i Venecias më pas rekomandoi që të bëhet vetëm për krerët e KPK-së, KGJK-së, kryeprokurorë dhe kryetarë të gjykatave, ministrja e Drejtësisë, thotë se nga prilli i vitit 2023 do të nisë punën mekanizmi kalimtar për procesin e vetingut.

“Nëse veprojmë sipas planifikimeve tona, besoj që pasi që ne t’i dërgojmë amendamentet kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Kuvendit obligohet që t’i dërgojë për mendim në Gjykatën Kushtetuese sepse amendamentet kushtetuese marrin një dritë të gjelbër pasi ato të votohen në Kuvend dhe nuk mund ta dimë se sa kohë merr Gjykata Kushtetuese për t’i trajtuar këto amendamente. Mirëpo planifikimet tona janë që deri pas tremujorit të parë të vitit të ardhshëm të nis puna e mekanizmit kalimtar”, u shpreh ajo.

Edhe takimin e së hënës të grupit punues për procesin e vetingut, e bojkotuan përfaqësues të Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor. Këtë, Haxhiu e vlerësoi “sjellje të paarsyeshme”.

Opinionet e Komisionit të Venecias për vetingun bashkë me Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, janë publikuar në fillim të javës së kaluar. /ksp