Arbëri

Muajin e ardhshëm mbahet takimi për Kartonin e Gjelbër, Kosova me shpresa të mëdha

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, ka thënë se Byroja ka plotësuar të gjitha kërkesat për kartonin e gjelbër.

Ai ka thënë se janë siguruar që t’i plotësojnë disa kërkesa të brendshme.

Mazreku në emisionin “Sot” në KTV, të martën, tha se muajin e ardhshëm janë të ftuar në Bruksel dhe shpreson se do të kthehen me lajme të mira.

“Më 1 korrik bëhet një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi dhe i bie që qytetarët që shkojnë në Mal të Zi nuk kanë nevojë të paguajnë sigurim dhe se kartoni i gjelbër që merret në Kosovë, vlen edhe në territorin e Malit të Zi. Ai karton i gjelbër ka ekzistuar vetëm për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Të gjithë qytetarët që shkojnë në Mal të Zi duhet të marrin kartonin e gjelbër te kompanitë e tyre të sigurimeve”, ka thënë ai.

Mazreku ka thënë se krejt çka do të prezantojnë në Këshillin e Byrove në Bruksel është rregullimi i marrëdhënieve me byrotë e të gjitha vendeve.

Ka thënë se janë munduar që t’i rregullojnë punët e brendshme dhe të ulin numrin e automjeteve të paregjistruara, gjë që sipas tij edhe është bërë.

Sipas tij, byroja nuk është më ajo e vitit 2019-2020.

“Nuk mund të themi që do të anëtarësohemi direkt, por ne kemi bërë gati kërkesë që Brukseli të na lejojë ta bëjmë një marrëveshje me një shtet mik, dhe nëse na jepet kjo leje do të përgatitemi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qytetarët nuk duhet të dalin pa sigurim dhe pa regjistrim në trafik.