Arbëri

Hasani: Janë shtuar investimet gjermane në Kosovë

Descriptive Text

Drejtoresha menaxhuese e Odes Ekonomike gjermane, Nora Hasani, ka folur për forumin ekonomik Gjermani-Kosovë që do të mbahet javën e ardhshme në Kosovë.

Ajo ka thënë se ky forum do të organizohet për investitorët që mund të kenë interesim për investim në Kosovë.

Hasani ka thënë se përpos për interesimin për Kosovën, këtë vit 8 delegacione e kanë vizituar Kosovën për të parë se çfarë kushte ofron Kosova për investime.

“Ne kemi menduar që brenda një forumi dy ditësh e gjysmë të informojmë investitorët gjermanë për hapësirën që kanë në Kosovë. Nëse një investitorë dëshiron të investojë atëherë duhet të marrë informacione zyrtare. Ne si odë kemi përkrahur shumë investitorë gjermanë. Ne e kemi publikuar një manual për investitorët, ku jepen të gjitha informacionet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në dy vjetet e fundit është vërejtur trend i rritjes së eksportit në Gjermani.

Ajo ka thënë se në forum do të vijnë 30 kompani nga Gjermania.

Hasani ka thënë se çdo vit qeveria gjermane organizon konferencë dhe mundohet që kompanitë e mëdha blerëse të gjejnë partnerë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi pozitë shumë të mirë strategjike. Shumë kompani janë tërhequr nga Rusia dhe po e shohin Ballkanin Perëndimor si opsion. Investitorët e dinë që në Kosovë ka shumë rini. Ka shumë kompani gjermane që sjellin trajnime për programe të caktuara”, ka thënë ajo.

Hasani ka thënë se kanë vërejtur trend të rritjes së investimeve gjermane në Kosovë, duke shtuar se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka më pak.

Ajo ka thënë se në kompanitë anëtare të Odës janë të punësuar me 25 mijë persona.

Sipas saj, ndër vështirësitë më të mëdha janë edhe procedura burokratike.

Hasani ka thënë se ka pasur rritje të eksportit deri në 67 për qind.