Arbëri

ZKA: Sistemi i licencimit të hidrocentraleve me mangësi të theksuara në zbatim të kritereve

Zyra e Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës, “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”, ku si objektivë ishte nëse sistemi i licencimit të hidrocentraleve ishte menaxhuar si duhet.

Auditimi ka përfshirë periudhën 2016-2021, ndërsa subjekte ishin Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe komunat e Deçanit, Mitrovicës, Dragashit e Shtërpcës.

Në auditim është konstatuar se institucionet e audituara kanë vendosur një sistem të licencimit të hidrocentraleve që është funksional, por megjithatë karakterizohet me mangësi të theksuara në zbatimin e kritereve, që nuk siguron shfrytëzim efikas të ujërave në vend dhe menaxhim e mbrojtje të duhur të tyre dhe të mjedisit.

“Raporti thekson se ka mungesë të koordinimit të palëve për arritjen e caqeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, zbatimit të kritereve nga ZRRE-ja për licencimin e hidrocentraleve, mungesën e zbatimit të kritereve për mbrojtjen e mjedisit nga MMPHI-ja, dobësitë në përcjelljen e veprimtarisë së hidrocentraleve nga Inspektorati i MMPHI-së, dështimi në zbatimin e koncesionimit për dhënien e të drejtës ujore për shfrytëzim të ujit për prodhim, dështimi në hartimin e Planit për Menaxhimin e Pellgjeve, etj. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë se licencimi i hidrocentraleve bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore, ofrojnë transparencë dhe sigurojnë mbrojtje të ujërave dhe mjedisit”, thuhet nga ZKA-ja.