Arbëri

AKB: Vendimi i Qeverisë për çmimet e derivateve, antikushtetues

Descriptive Text

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për caktimin e çmimeve tavan për shitjen e derivateve nga dita e hënë, është vlerësuar antikushtetues nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Sipas AKB-së, “ky vendim i njëanshëm” po tenton të ulë marzhën e fitimit te sektori i naftëtarëve.

“AKB-ja e vlerëson vendimin e Qeverisë së Kosovës antikushtetues i cili përmes Udhëzimit Administrativ NR.03/2022 për Rregullimin e çmimeve të produkteve të Naftës dhe karburanteve te ripërtëritshme dhe masat tjera mbrojtëse tenton të ulë marzhën e fitimit tek sektori i naftëtarëve në shitjen me shumicë 2 centë, kurse me pakicë 12 centë”, thuhet në komunikatën e lëshuar tw hwnwn nga kjo aleancë.

Sipas AKB-së, me vendimin e së hënës, Qeveria po ndërhynë në ekonominë e tregut, duke bërë shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese.

“Ky udhëzim administrativ nuk është detyrues derisa është Antikushtetues, me këtë udhëzim ngrihen shumë çështje që kanë të bëjnë me shitjen e derivateve në Kosovë. Së pari Buxheti i Shtetit humb 10% më pak tatim në fitim e që kjo tashmë do të tatohet në shtet tjera eksportuese duke e fsheh marzhën e fitimit përmes rabatit, së dyti lind ideja e sektorit të naftëtarëve se a duhet të respektohet ky udhëzim antikushtetues dhe së treti Qeveria me këtë hap jo bashkëpunues me komunitetin e biznesit të këtij sektori i rebelon naftëtarët duke bërë hapa gjithmonë në dëm të shtetit dhe konsumatorëve dhe vetvetes duke i bojkotuar importet, se a do të respektohet ky vendim apo jo mbetet të shihet në ditët në vijim pasi që ky vendim do të shkojë në instanca gjyqësore për interpretim dhe vendim final”, thuhet më tej në njoftim.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka thënë se do të kërkojë pezullim të këtij vendimi, e më pas të vazhdohet me procedura edhe për anulimin e tij të plotë.

“AKB-ja i kërkon Qeverisë rishikimin e këtij Udhëzimi Administrativ dhe të marrë një vendim tjetër të heqjes së akcizës në derivate dhe të përcakton limitin e marzhës në bashkëpunim me komunitetin e bizneset. Gjithashtu i njofton Bizneset që secili vendim me shkelje kushtetuese, ligjore dhe procedurale nuk i obligon ta respektojnë, por mund ta adresojnë në Gjykatë për interpretim”, ka njoftuar AKB-ja.

Qeveria ditë më parë vendosi për vlerën se sa mund të fitojnë kompanitë e shitjes së derivateve. Fitimi është 12 centë për shitjet me pakicë, ndërsa 2 centë për shitjet me shumicë.

Më herët, Qeveria kishte propozuar që fitimi që sot është 12 centë, të ishte 6, por ishte kundërshtuar ashpër nga Shoqata e Naftëtarëve. Ata kishin kërcënuar Qeverinë me mbyllje të pikave. Pas gjithë kësaj, Qeveria vendosi që fitimi për litër në shitjet me pakicë të jetë 12 centë.