Arbëri

Bizneset në Shqipëri po detyrohen të marrin punëtorë nga India, Bangladeshi e Nepali

115 punëtorë nga India, Bangladeshi dhe Nepali janë punësuar vetëm gjatë dy muajve të fundit në Qarkun e Vlorës. Po kështu, janë dhe 97 shtetas nga Italia dhe vendet fqinje si Kosova, Maqedonia Veriut e Serbia. Numri në rritje i të huajve të punësuar në Vlorë është për shkak se sipërmarrësit nuk gjejnë punëtorë vendës. Udhëheqës të Shoqatës së Tur-Operatorëve Turistikë në Shqipëri thonë se kjo nuk është zgjidhje

Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit në Shqipëri po e bën shërbimin ndaj turistëve më të vështirë.

Zëvendësimi i fuqisë punëtore vendëse është menduar të bëhet me të huaj nga India, Bangladeshi apo Siria, por kjo zgjidhje nuk mbështetet nga shoqatat e turizmit në Shqipëri.

“Zëvendësimi me të huaj është një nevojë emergjente dhe është një zëvendësim i përkohshëm që nuk do të japë rezultat. Nuk mund të shërbejë në Shqipëri një njeri që nuk është shqiptar. Mund të fusësh njerëz të huaj në prapavijë, ku nuk ka kontakt me klientin. Nuk mund ta shërbejë kafen apo pjatën një i huaj, një indian, kinez, edhe sikur ta flasë shqipen, është e panatyrshme. Nuk do të ishte një produkt tipik shqiptar. Një i huaj vjen për të parë sesi një shqiptar shërben. Nëse do ta bëjmë çdo gjë italiane, një italian nuk do të vijë, sepse e gjen më mirë në bregdet. Nuk është arsye vetëm çmimi, ai vjen që të ngelë në memorie që aty kishte një traditë të caktuar, për të krijuar një eksperiencë të caktuar. Nëse e zëvendësojmë me të huaj kudo, ky nuk është më turizëm”, thotë Kliton Gerxhani nga Shoqata e Tur-Operatorëve Turistikë në Shqipëri.

Bizneset e fushës së turizmit në Vlorë po i afrohen kulmit të sezonit turistik, por edhe këtë vit do të ketë mungesa të theksuara sa i përket fuqisë punëtore të kualifikuar. Në këto kushte, India, Bangladeshi dhe Nepali, por edhe Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut e Serbia janë zgjidhja e vetme për bizneset e turizmit.

115 punëtorë nga India, Bangladeshi dhe Nepali janë punësuar vetëm gjatë dy muajve të fundit në qarkun e Vlorës. Po kështu, janë dhe 97 të huaj nga Italia dhe vendet fqinje si Kosova, Maqedonia Veriut e Serbia.

Numri në rritje i të huajve të punësuar në Vlorë është për shkak se sipërmarrësit nuk gjejnë punëtorë vendës.

“Vitin e kaluar në kompaninë time ishin 200, këtë vit kemi 40 punonjës mangët. As vetë nuk e dimë si do ta menaxhojmë këtë krizë, nuk bëhet fjalë për 2-3 punonjës. Ata punonjës që kemi, po i ngarkojmë me punë jashtë orarit dhe po i paguajmë. Nuk kemi një rast të vijë një punonjës, të kërkojë punë dhe të mos e marrim”, u shpreh pronari i resortit turistik “Hotel Regina” në Radhimë të Vlorës, si dhe i agjencisë turistike “Regina Travel”, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistik për Jugun e Shqipërisë “ATA”.

Bedinaj sqaroi edhe arsyen e kësaj situate të vështirë , pavarësisht se pagat për punonjësit, sipas tij, janë rishikuar.

“Kjo, për shumë arsye, shumë të rinj e të reja kanë zgjedhur të largohen nga Shqipëria, janë hapur shumë biznese të reja. Kemi pasur një numër të caktuar operatorësh turistikë, por ky numër po shtohet çdo vit. Kërkesa për burimet njerëzore është shumë herë më e lartë sesa vitet e kaluara”, thotë Vasil Bedinaj.

Në Drejtorinë Rajonale të Punësimit në Vlorë kanë aplikuar një numër i madh personash nga Nepali, Bangladeshi dhe India, ndërsa vetëm gjatë dy muajve të fundit janë pajisur me leje pune 1-vjeçare 115 punëtorë të huaj.

"Krahasuar me vitin e kaluar kemi pasur rritje të kërkesave për leje pune në zbatim të Ligjit për të huaj, i ndryshuar tashmë dhe për faktin se shumë punëdhënës kërkojnë punëtorë të huaj nga shtete të ndryshme, nga Nepali, Bangladeshi, India", tha Gjinovefa Xhori, specialiste për migracionin dhe marrëdhëniet e punës.

Ata kanë ardhur në Shqipëri në bazë të kontratave që kanë nënshkruar me sipërmarrësit shqiptarë dhe punojnë në sektorët e turizmit, në ndërtim etj.

"Kemi numër shumë të madh aplikimesh për leje pune, tani kemi pajisur 115 shtetas të huaj. Subjektet janë në hoteleri, turizëm, që kërkon shumë punonjës për momentin dhe fasoneritë, pasi punëdhënësit pretendojnë se nuk i gjejnë në tregun vendës. Edhe ndërtimi ka marrë shumë shtetas të huaj që punojnë", shtoi specialistja Xhori.

Mirëpo në Vlorë ka dhe shumë të huaj që janë vetëpunësuar.

"Ndërsa të vetëpunësuarit janë shtetas bjellorus, ukrainas, rusë, të cilët kanë edhe disa vjet të tjerë që ushtrojnë punën këtu dhe kryesisht ata paraqiten për ripërtëritje të lejes së punës", thekson Xhori.

Një kategori tjetër janë punëtorët nga vendet e BE-së dhe nga shtetet fqinje, Kosova e Maqedonia e Veriut, të cilët në bazë të ligjit paraqesin një vetëdeklarim punësimi.

"Shtetet e BE-së (zona Shengen) dhe Kosova, Maqedonia e Serbia janë të përjashtuar nga leja e punës, por pajisen me një vërtetim deklarim punësimi. Të tillë kemi 97 shtetas të punësuar në Vlorë", tha Xhori.

Lidhur me rritjen e kërkesës së të huajve të të gjitha kategorive për të punuar në Vlorë, ajo tha: "Unë mendoj se është kërkesa e punëdhënësve tanë, sepse nuk përshtaten me kërkesat e punëmarrësit dhe ky është handikap i mospërputhjes së kërkesës dhe ofertës në tregun tonë, ndaj ata janë të detyruar të kërkojnë fuqi punëtore jashtë vendit".

Shkollat profesionale të hoteleri-turizmit janë ato që duhet të furnizojnë biznesin me punonjës, por interesi i të rinjve për këto shkolla ka rënë me 3% në vitin shkollor 2021-2022 në raport me periudhën 2017-2018, sipas INSTAT-it.

Në këto kushte, operatorët kërkojnë një skemë ripunësimi për punëtorët që humbën gjatë pandemisë dhe një strategji mbarëkombëtare se si mund të mbahen të rinjtë për të shërbyer në Shqipëri.