Arbëri

Shpresë që liberalizimi të vijë sivjet, Shqipëria mund të vazhdojë ndaras rrugën drejt BE-së

Descriptive Text

Ka përfunduar samiti dyditësh i Bashkimit Evropian në Bruksel, në të cilin pos temave të tjera që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë, sigurinë e furnizimit me energji, përballjen me inflacionin, ka qenë edhe procesi i zgjerimit dhe raportet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse ditën e dytë të samitit, zgjerimi nuk ishte temë e veçantë, u fol për këtë, në favor të përshpejtimit të procesit, duke pasur parasysh që gjatë ditës së sotme erdhi lajmi se Bullgaria ka miratuar propozimin e Francës për të nisur negociatat me Maqedoninë e Veriut. Por, mbetet të shihet nëse Shkupi do ta pranojë këtë apo jo, sepse paralajmërimet e para nga kryeministri maqedonas ishin se ky version i propozimit nuk është i pranueshëm për Shkupin.

Nëse hapen negociatat me Maqedoninë, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Shqipërinë. Por, burimet në Bruksel thonë se edhe nëse negociatat me Maqedoninë nuk nisin, mund të ndahet pakoja, kështu që gjatë presidencës çeke, Shqipëria të nisë negociatat.

Sa i përket liberalizimit të vizave kjo ishte temë në ditën e parë të samitit, ndërsa sot vetëm janë përsëritur qëndrimet e disa vendeve se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe tani do të ishte mirë të vazhdohej me procesin që do të çonte te vendimi formal.

Po ashtu, diplomatët kanë përsëritur që nuk ka qenë në plan që në këtë samit të merret ndonjë vendim, porse vendimi merret në trupat punues të Këshillit. Prandaj, pasi që është parë se ekziston një vullnet politik te liderët e shumë shteteve të BE-së dhe që nuk ka më kundërshtime çfarë ka pasur në të kaluarën, shpresat janë të mëdha që një gjë e tillë të ndodhë gjatë kryesimit çek të BE-së.

Çekia merr kryesimin e radhës të BE-së nga 1 korriku i këtij viti.