Arbëri

Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia e ndiejnë mungesën e turistëve rusë e ukrainas

Descriptive Text

Asnjë shenjë e pranisë së turistëve rusë nuk vërehet përgjatë bregut Adriatik në Malin e Zi, Kroaci e Shqipëri, në një kohë që lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Moskës i mbajnë ata larg nga vendet që dikur ishin destinacionet e preferuara për pushimet e verës.

Në Shqipëri, ku sektori i turizmit është në ankth për t’u rimëkëmbur nga pasojat e pandemisë, shpresat ishin të mëdha se viti 2022 do të ishte shumë i suksesshëm. Rreth 150 mijë turistë nga Ukraina, Rusia e Bjellorusia do t’i mungojnë Shqipërisë këtë verë si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në lidhje me hyrjet e shtetasve nga vendet e përfshira në konflikt, Rusia, Ukraina por edhe Bjellorusia, ka bërë të ditur se në Shqipëri gjatë vitit 2021 kanë hyrë 110 mijë shtetas ukrainas, rreth 36 mijë shtetas nga Rusia dhe rreth 2500 shtetas bjellorusë. Bazuar në shifrat e tremujorit të fundit të vitit 2020, shpenzimi total i turistëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit 2021 mund të përllogaritet afërsisht në 1.7 miliardë euro. Me një përfaqësim prej rreth 2.6% të totalit, turistët nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia, vlerësohet të kenë shpenzuar rreth 44 milionë euro gjatë vitit të kaluar.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, përmes një video-mesazhi në Kuvendin e Shqipërisë më datën 3 maj, mes tjerash, i bëri thirrje Qeverisë shqiptare që të mbyllë portet për anijet ruse apo dhe turistët rusë.

“Bandat ruse duhet të shkëputen nga tregu global. Ju duhet t’ia hiqni mundësinë Rusisë në kohën e duhur. Ju kërkoj që të kufizoni portat për anijet ruse dhe të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, ndoshta vijnë vrasës të Buchas apo të Irpin”, ka thënë Zelensky në fjalën e tij drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Mungesën e turistëve rusë po e ndien më së shumti Republika e Malit të Zi, edhe pse ka shumë ukrainas dhe rusë që i janë larguar luftës e që kanë marrë prona me qira për një kohë të gjatë në Malin e Zi. Megjithatë kjo nuk mjafton për të arritur shifrën e 380 mijë rusëve që vizituan Malin e Zi në 2019-n.

Disa turistë rusë kanë filluar të hyjnë në Malin e Zi përmes Stambollit dhe Beogradit, aeroportet e të cilave janë ende të hapura për fluturimet nga Rusia. Por sektori i turizmit në Malin e Zi tashmë ka kthyer vëmendjen nga turistët që mund të vijnë nga Perëndimi, Evropa Qendrore, Izraeli dhe Arabia Saudite. Turizmi përbën rreth 20% të ekonomisë së Malit të Zi. Banka botërore uli pritjet për rritjen ekonomike të Malit të Zi në 3.6% nga një nivel prej 5.9% i parashikuar më parë.

Edhe Kroacia ka filluar të ndiejë mungesën e turistëve rusë. Në vitin 2019, para pandemisë, Kroacia numëronte një total prej 154 mijë turistësh rusë dhe 139 mijë ukrainas. Në vitin 2021 ishin rreth 145 mijë turistë nga secili vend, sipas të dhënave zyrtare. Në janar dhe në shkurt të këtij viti 12 mijë rusë vizituan Kroacinë, por gjatë muajit mars, prill dhe gjysmën e parë të majit vetëm 4.500 rusë hynë në Kroaci.