Arbëri

PDK-ja mohon se s’kishte kuorum: Konjufca e ndërpreu për shkak të Trustit

Kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, qëllimisht e ka ndërprerë seancën e së mërkurës, kur në radhë ishte pika për shqyrtimin e tërheqjes së kursimeve nga Trusti.

Tahiri ka thënë në një konferencë për media të mërkurën, pas ndërprerjes së seancës, se në momentin kur është bërë ndërprerja, në sallë ishin të pranishëm ishin 80 deputetë.

“Në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca pikërisht kur ishim te pika e Trustit. Seanca duhet të ndërpritet me votim, kështu ka ndodhur përpara. Prezent ishin 80 deputetë, prandaj nuk kishte arsye të mos vazhdohej. Nuk e di se cilat kanë me qenë arsyet nesër për ta penguar edhe më tutje debatin dhe votimin, kjo është një kërkesë e qytetarëve. Këta kanë një angazhim tepër të madh që kjo iniciativë ligjore që mundëson 10-30% të mjeteve nga Trusti të mos kalojë”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, sikur të kishte përkushtim nga qeveria për mirëqenien e qytetarëve, nuk do të kërkohej tërheqja e kursimeve nga Trusti pensional.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili edhe e ka paraqitur kërkesën për ndryshimin e ligjit në mënyrë që të mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti, ka thënë se po të diskutohej sot ligji, ai edhe do të votohej.

“Kuorum kishte mjaftueshëm, po besoj që edhe votat do të ishin pro ligjit. Sot është dita e 106-të që e kemi dorëzuar kërkesën. Ne e kemi ftuar edhe mazhorancën që ta votojnë këtë kërkesë të qytetarëve. Atë të drejtë e kanë shfrytëzuar disa prej deputetëve”, ka thënë Haxhiu.

Seanca u shty për të enjten në orën 10:00. Të enjten do të mbahet edhe një seancë tjetër, ku do të diskutohet rishikimi i buxhetit.