Arbëri

Petkoviq: Bislimi në Bruksel tha se Prishtina është e gatshme të flasë për Asociacionin

Descriptive Text

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit të fundit në Bruksel kishte thënë se Kosova është e gatshme të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, pasi të arrihet marrëveshja për energji.

“Pas raundit të fundit të bisedimeve në zyrën e z. Miroslav Lajçak, ku ishin z. Lajçak, z. Bislimi dhe unë, z. Bislimi tha hapur se Prishtina është e gatshme të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe kur të arrijmë marrëveshje për energji. Ne kemi arritur marrëveshje për energji, dhe është hapur rruga për formimin e Asociacionit”, tha Petkoviq për televizionin serb RTS. 

Ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen për energji.

“Është një hap shumë i rëndësishëm dhe domethënës. Do të thosha se arritëm një marrëveshje mjaft të mirë, megjithëse asnjëherë nuk gëzohemi dhe nuk flasim me eufori. Duhen bërë shumë hapa të tjerë për ta përfunduar zbatimin. Arritëm të biem dakord për udhërrëfyesin për energji dhe është hapur rruga e bisedimeve për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. 10 vjet presim zbatimin e marrëveshjes për energjinë, presim 10 vjet edhe për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe gjashtë pikave të para që kanë të bëjnë me Asociacionin”, tha Petkoviq.

Ai ka thënë se me marrëveshjen Elektrosever mund të importojë e eksportojë energji.

“Afatet fillojnë në momentin kur Prishtina i jep licencën Elektroseverit. Kjo është ajo që ne kemi pritur me vjet dhe ajo që Prishtina ka refuzuar. Kjo është ajo për të cilën Prishtina s’ka dashur të flasë. Kjo do të thotë se ne e kemi kompaninë tonë Elektrosever, e cila ofron shërbimet e shpërndarjes, e cila ka furnizimin dhe e cila ka mundësi të importojë e eksportojë energji elektrike. Kjo do të thotë se ne do të mund të dërgojmë energji elektrike nga Serbia qendrore në veri të Kosovës e M.”, tha Petkoviq.