Arbëri

Ibrani: Nuk mjafton vetëm dëshira, duhet mbështetje financiare për bibliotekat

Descriptive Text

Prorektorja e Universitetit të Prishtinës për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Mimoza Ibrani, ka thënë se për përmirësimin e bibliotekave duhet mbështetje financiare e jo vetëm dëshirë për të investuar.

Në një diskutim për bibliotekat e fakulteteve të UP-së të mërkurën, Ibrani u shpreh se ky institucion ka një buxhet të limituar për përmirësimin e kushteve në biblioteka.

“UP-ja ka siguruar abonim në platformën ELSEVIER i cili nuk është siguruar sivjet, por më herët. Në rregulloren e fundit për studime të doktoratës, inkurajohet edhe botimi në revista, që nuk kanë qenë më herët. Krahasuar me universitetet tjera, UP-ja ka buxhet të limituar. Nuk mjafton vetëm dëshira për të investuar në biblioteka dhe me platforme digjitale, por duhet edhe mbështetja financiare”, ka thënë Ibrani.

Ndërkohë, Bukurije Haliti, koordinatore në Bibliotekën Qendrore Universitare, ka thënë se koleksione i lëndëve mësimore, koleksioni referal dhe koleksioni për shkenca e arte do të jenë të mbyllura në mungesë të hapësirave.

Nuhi Sadiku nga “ADVOMERE” ka thënë se janë të shqetësuar me gjetjet që kanë dalë nga një hulumtim i kësaj organizate joqeveritare.

Ndër gjetjet kryesore është se bibliotekat e fakulteteve të UP-së mbesin të pafurnizuara me literaturë bashkëkohore. Nuk ka literaturë adekuate për drejtime specifike të fakulteteve përkatëse.

Në shumicën e bibliotekave të UP-së nuk ka kompjuterë, printerë, skanerë, fotokopjues, madje as internet, sipas gjetjeve të kësaj organizate.