Arbëri

Afro 120 milionë euro u shpenzuan për rrymën në veri nga 2012-a

Me reagime të shumta është pritur në Kosovë marrëveshja për energjinë. Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij e kanë cilësuar sukses këtë, ndërkaq në partitë opozitare thanë se pushteti arriti marrëveshje të njëjtë me ato që Vetëvendosje i kundërshtonte sa ishte në opozitë. E, serbët në Kosovë e quajtën fitore për ta faktin që dokumenti nuk i obligon ta paguajnë energjinë e shpenzuar deri tash.

Afro 120 milionë euro janë shpenzuar që nga viti 2012 për energjinë e shpenzuar nga qytetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe. Por ekzekutivi ka shfaqur shpresën që brenda vitit të fillojë me arkëtimin e mjeteve, pas arritjes së pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për energjinë që ishte nënshkruar në vitin 2013.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë të martën se kjo ujdi është rezultat i punës së palodhshme të Qeverisë që ai drejton.

“Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite, andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, ka thënë Kurti.

Marrëveshja, për zbatimin e së cilës është bërë dakordimi të martën, ishte kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, parti që e udhëheq Kurti. Por, ai thotë se kanë bërë më të mirën në rrethanat e tashme.

Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është diskutuar shkarazi në Komisionin për Ekonomi, në të cilin dështoi miratimi i mocionit për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.

“Në momentin që të arrihet kjo marrëveshje dhe sot apo nesër apo pasnesër të merret vendim në Kuvend për të shkarkuar bordin është një sabotazh i funksionimit të mirëfilltë të shtetit, pasi është Zyra e Rregullatorit që duhet të autorizojë një kompani që faturon në katër komunat në veri”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

E, në atë kohë, deputetët opozitarë nuk kanë qenë të njoftuar rreth përmbajtjes së marrëveshjes.

“Kostoja e veriut mbetet sfidë për KOSTT-in”, ka thënë kryesuesi i Bordit të kësaj ndërmarrjeje, Jeton Mehmeti.

“Sfidë e madhe përkundër sfidës energjetike për KOSTT mbetet mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore të Kosovës, ku përgjegjësia e paadresuar brenda Kosovës si rezultat i vendimeve gjyqësore mbetet e patrajtuar dhe mbetet barrë e madhe për ne”, ka thënë Mehmeti.

E opozita ia ka kujtuar Kurtit kundërshtimet që ia kishte bërë marrëveshjes.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka pyetur kryeministrin nëse këto marrëveshje do të legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë, ashtu siç deklaronte dikur.

“Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vetë ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë - dje dhe sot - marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.

E lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook ka thënë se marrëveshja është e njëjtë me atë të 2013-s, veçse janë vënë afatet kohore.

“Nëse pala serbe e zbaton këtë roadmap nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme”, ka thënë Haradinaj.

Për udhërrëfyesin ka reaguar edhe Lista Serbe, sipas së cilës marrëveshja e arritur është dëshmi se “dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura”.

“Kjo (Marrëveshja v.j.) parandaloi mundësinë e pushtimit brutal të (trafostacionit v.j.) në Valaç, sistemeve tona energjetike dhe rrezikimin e furnizimit me energji. Populli serb asnjëherë nuk ka ikur nga përgjegjësitë e tij, por ne kemi kërkuar që kjo të bëhet në përputhje me marrëveshjen, përkatësisht të bëhet nga Elektrosever, që është simotër e EPS-it (Elektro Provreda Srbije)”, thuhet në njoftim.

Sipas Listës Serbe, marrëveshja e pamundëson pagesën retroaktive, ndërsa “Elektroseveri”, sipas saj, do të ketë sistem energjetik në veri me garanci të BE-së.

Qytetarët e veriut, të banuar kryesisht nga serbët, prej 23 vjet nuk paguajnë për shpenzimet e bëra të energjisë, e ato janë mbuluar nga buxheti i Kosovës.

Në Listën Serbe kanë folur edhe mbi punësimet në kompaninë që do të licencohet për komunat e veriut.

“Theksojmë se do të punësohen të gjithë punëtorët e ‘Elektrokosmetit’ në veri, si dhe planifikohet rekrutimi i punëtorëve të rinj në kompaninë e re, e me këtë edhe mbijetesa dhe qëndrimi në këto zona. Veçanërisht duhet theksuar se marrëveshja e sotme ka forcuar më drejtpërdrejt marrëveshjet e mëparshme nga viti 2013 dhe 2015, dhe në të njëjtën kohë ka hapur rrugën për biseda për bashkësinë e komunave serbe”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Kompania nga veriu i Kosovës “Drustvo Elektrosever” ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, në vitin 2020.

Aplikimi është bërë pasi Kosova është pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e Transmisionit. Kjo nuk ia mundëson më Serbisë që t’i shfrytëzojë asetet interkonektive të Kosovës.

Kompania “Drustovo Elektrosever” është regjistruar në Agjencinë Kosovare të Bizneseve në nëntor të 2018-s.

Sipas Marrëveshjes për energji, të dyja palët ishin dakorduar që të themelohet një kompani e tillë sipas kornizës ligjore dhe rregullatore kosovare.

Në marrëveshje thuhet se kjo kompani e re do të furnizojë me energji elektrike dhe mund të ofrojë shërbime të shpërndarjes (të tilla si faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur.

Por, Serbia deri më tani i ka rezistuar planit të zbatimit të Marrëveshjes për energji edhe për shkak të pretendimeve në trafostacionin e Vallaçit e Gazivodën, si dhe kërkesës për një distributor të vetin në veri të Kosovës. Zyrtarë të Qeverisë serbe kanë thënë në vazhdimësi se po presin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për t’i futur ato nën kontroll.

Por, sipas Marrëveshjes për energjinë, është KOSTT-i ai që vendos nën kontroll nënstacionin e Vallaçit në pjesën veriore, praktikisht dhe në tërë sistemin e transmisionit.

Ndërkaq, ndërhyrja ilegale e operatorëve serbë në pjesën veriore, sipas Marrëveshjes, duhet të pushojë duke përfshirë kontrollin dispeçerik të hidrocentralit Ujmani dhe importin në linjën 110-kilovoltëshe (kV) nga Novi-Pazari.

KOSTT-i do të mund të arkëtonte të hyra nga energjia e transituar për vende të treta, meqë me firmosjen e marrëveshjes ky institucion bëhet pjesë e mekanizmit për kooperim ndërmjet operatorëve në nivel evropian. Duke iu referuar të dhënave energjetike nga e kaluara, këto të hyra mund të arrijnë 1 milion e 500 mijë deri në 2 milionë.

Arsyeja e bllokimit të Marrëveshjes së Brukselit ka qenë hezitimi i kompanisë serbe për regjistrim, si dhe mospërmbushja e kritereve ligjore, pasi që kjo kompani kishte përdorur termin “Kosova Metohije” në statusin e kompanisë.

KOHA kishte raportuar se shtyrja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje është edhe shkaku që Serbia fiton të hyra nga shfrytëzimi i aseteve interkonektive të Kosovës. Të gjitha të hyrat prej alokimit të kapaciteteve i ka marrë pala serbe. Në bazë të disa kalkulimeve, nga viti 2008 deri më 2019 Serbia ka përfituar afro 65 milionë euro në mënyrë të paligjshme.

Furnizimi me energji në pjesën veriore është problem politik i pazgjidhur që nga paslufta. Në pamundësi që furnizuesit të operojnë në atë pjesë të Kosovës, ZRRE-ja me një vendim të 2013-s e ka llogaritur furnizimin e asaj pjese si humbje dhe ka thënë se humbje vjetore kanë qenë afro 8 milionë euro, të cilat u janë faturuar qytetarëve.

Por, pas padisë së Avokatit të Popullit kundër këtij vendimi, Gjykata Themelore ka pezulluar vendimin e ZRRE-së. Ndërkohë, lënda është në procedurë gjyqësore. Gazeta ka kërkuar nga Gjykata që të dijë se në çfarë faze është kjo lëndë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së hënës.

Ndërkohë, nga 2 dhjetori 2017, KOSTT-i nuk ka bërë blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut të Kosovës.

Për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike është tërhequr në mënyrë të paautorizuar nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Sipas të dhënave të KOSTT-it, nga sistemi interkonektiv evropian janë tërhequr energji në vlerë monetare rreth 37 milionë euro. Ky borxh është bërë për periudhën 2 dhjetor 2017 deri më 2020.

Borrell: Marrëveshja për energjinë, hap i rëndësishëm që e çon para dialogun

Ka pasur edhe reagime ndërkombëtare pas ujdisë mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm që çon para edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Fola sot me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për t’i uruar për arritjen e marrëveshjes mbi udhërrëfyesin e energjisë sot. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”, ka thënë Borrell.