Arbëri

Kurti u bën thirrje burrave: Mbështetini vajza e gratë e dhunuara gjatë luftës

Rehabilitimi dhe rivendosja e drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe viktimat e krimeve të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë është i nevojshëm, ka thënë kryeministri Kosovës, Albin Kurti, në Shënim të Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.

Ai tha se heshtja vazhdon të mbështjellë këtë krim e me vitet që kalojnë “po qëndron si një mur ndarës që vazhdon të lartësohet, që pengon viktimat e mbijetuara të kërkojnë mbështetjen e kujdesin e merituar, dhe drejtësinë e munguar”.

Duke theksuar se krimet e luftës nuk parashkruhen, Kurti shtoi se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë nevojë për drejtësi.

“Andaj nuk mund të ketë amnisti për këtë krim të kryer, këtë armë lufte që e kanë përdorur okupatori serb gjatë luftës në Kosovë”, shtoi ai.

Ai potencoi domosdoshmërinë e përkrahjes shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Janë bërë 5 vite prej kur ka filluar punën Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Me vendim të Qeverisë, komisionit ia kemi zgjatur mandatin edhe për tri vjet”, tha ai.

Ka bërë thirrje që të mbështeten të dhunuarit gjatë luftës, sidomos vajzat dhe gratë.

“Veçanërisht u bëri thirrje të gjithë burrave e djemve, që të mbështesin gratë e vajzat në familjet e tyre. Pasi largimi i familjes e ndarja e shoqërisë është një nga efektet shkatërruese, për të cilët dhuna seksuale përdoret si armë lufte”.

“Na duhet në vazhdimësi angazhim i përbashkët i institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, mediave e të shoqërisë në përgjithësi, për të përmirësuar mirëqenien e tyre e për të adresuar të shkuarën, që nuk është veç e tyre”, shtoi ai.

Kurti theksoi nevojën për rrëfimet për gjenocidin e Serbisë dhe krimet e tjera të kryera nga ajo për të ndihmuar të vërtetën për Kosovën.