Arbëri

Lubonja e quan shou mbledhjen e dy qeverive: Spektakël i përgatitur nga Rama

Publicisti Fatos Lubonja ka komentuar mbledhjen mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai ka thënë se nuk ka parë asgjë përmbajtjesore në kuptimin e interesave të vërteta të shqiptarëve.

Lubonja ka thënë se ka parë një shou që e kishte parë edhe herëve tjera.

Sipas tij, ishte shou patriotizmi në të cilin Edi Rama ishte në terrenin e vet, duke e quajtur politikan të shoqërisë së spektaklit.

“Nuk e mora vesh se kishte hyrë të bënte rolin e një figuranti të shouit të Ramës edhe Albin Kurti atje. E gjitha ishte një spektakël i përgatitur nga Rama për t’u shfaqur në Kosovë me një gjuhë patriotike, pas akuzave që ka pasur edhe në Shqipëri sa i përket Ballkanit të Hapur. Të gjitha këto kanë ndikuar që të përgatisë këtë spektakël ku u shfaq si një njëri i Bashkimit Kombëtar”, ka thënë ai.

Lubonja ka thënë se të dyja vendet dhe Evropa ecin me dy “shina”.

Sipas tij, në këtë rast u kthyen te gjuha nacionaliste, por sipas tij, ishte spektakël që e mbulon realitetin.

“Unë Albin Kurtin e kam parë si shpresë për botën shqiptare. Jo për atë që mund të na bashkojë, por për një arsye tjetër më konkrete. Për ato premtime që ka bërë për të liruar Kosovën nga shteti i kapur. Dhe në një farë mënyre kam imazhin e Kurtit që të sjellë Vetëvendosjen edhe këtu për të na çliruar nga shteti i kapur i Ramës”, ka thënë ai.