Arbëri

Berisha: Beogradi ka ngarkuar Ramën me detyrën për rrëzimin e Kurtit

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka komentuar vizitën e kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, Edi Rama.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se pas samitit të mbajtur në Ohër, Rama ka marrë detyrat e reja nga Beogradi.

Berisha ka thënë se Rama është ngarkuar me detyrën për të punuar ngushtë me albanofobë dhe serbofilë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Pas samitit të cilin e ka quajtur, antishqiptar dhe antieuropian, të Ohrit ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me urdhër të Putinit mblodhi vasalet e tij të Tiranas dhe Shkupit për avancimin e Ballkanit serbo-rus ne kundërvënie të hapur të procesit të Berlinit duket se Edi Rama ka marrë detyra të reja nga Beogradi. Konkretisht duket se Edi Rimës i është ngarkuar detyrë në një akt të ri antishqiptar të punojë ngushtë me albanofobë e serbofilë në Kosovë për rrëzimin e Qeverisë Kurti, qeveri e cila me qëndrimet konsguente kundër projektit ruso -serb të Ballkanit të Hapur mbrojti dhe po mbron me konseguence interesat e kombit shqiptar por edhe të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në rajon”, ka shkruar ai.

Ai ka shkruar se e dënon, siç e ka quajtur, misionin e ri antishqiptar të Ramës.

“Me këtë rast duke dënuar me ashpërsinë më të madhe misionin e ri antishqiptar të Edi Ramës të ngarkuar në Beograd, paralajmëroj vasalin e mjerë të serbomadhit Vuçiq të heqë dorë nga skenarët e Beogradit kundër qeverisë së Kosovës, pasi në të kundërtën do të marrë ndëshkimin e merituar nga mbarë kombi shqiptar”, ka shkruar ai.