Arbëri

Kosovare Kelmendi reagon ndaj Bërnabiqit

Avokatja Kosovare Kelmendi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se në Kosovë nuk ka pasur gjenocid. Bërnabiqi të premten në Forumin e Prespës në Ohër, ka thënë se po manipulohet me numra.

“Nuk ka pasur gjenocid në ‘Kosovë e Metohi’. Nuk ka pasur asnjë dënim apo rast që lidhet me këtë”, ka thënë Bërnabiq.

Kosovare Kelmendi, duke kujtuar nënën e saj, ish-ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, në 11-vjetorin e ndarjes nga jeta, ka thënë se ishin prindërit e saj, si avokatë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut që dorëzuan në Tribunalin e Hagës qindra dosje të krimeve të Serbisë mbi shqiptarët. Ia ka rikujtuar Bërnabiqit se babai i saj, Bajram Kelmendi, e ka paditur dy herë Serbinë për gjenocid. E siç shkruan në reagim, kjo ishte arsyeja që më 25 mars të vitit 1999, atë dhe dy vëllezërit e saj i ekzekutuan forcat policore të Serbisë.

“19 qershori e 25 marsi janë data të rënda për mua, sepse në këto data unë i humba më të dashurit e mi. Më 25 mars 1999, forcat policore të Serbisë m’i ekzekutuan babanë dhe vëllezërit me urdhër të Millosheviqit, kurse mamin ma lanë të gjallë, siç thoshte edhe vetë ajo, që ta mbysnin ngadalë nga dhimbja e vuajtja për ta. Për aq sa jetoi pas vrasjes se tyre, ajo u kthye në simbol të qëndresës duke e kthyer dhimbjen personale në përkushtim dhe angazhim në ndërtimin e institucioneve shtetërore, sidomos atyre të drejtësisë dhe të sundimit te ligjit. U nda nga ne përgjithmonë më 19 qershor 2011 dhe me vete mori dëshirën e parealizuar për vendosjen e drejtësisë për babanë dhe vëllezërit, si edhe për mijëra shqiptarë të vrarë nga regjimi i Serbisë. Teksa tani dëgjoj udhëheqësit e Serbisë duke i mohuar krimet e veta në Kosovë, me duhet t’ua rikujtoj që prindërit e mi, si avokatë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut ishin ata që dorëzuan në Tribunalin e Hagës qindra dosje të krimeve të Serbisë mbi shqiptarët dhe se babai im e ka paditur Serbinë dy herë për gjenocid, me fakte dhe dëshmi te pakontestueshme. Kjo ishte edhe arsyeja se pse e ekzekutuan. Pa kërkim faljeje dhe pa vendosjen e drejtësisë për mijëra shqiptarë të vrarë, dhe pa ofrimin e informatave për të zhdukurit me dhunë, Serbia të mos presë kurrë që do të mund të ketë raporte normale me Kosovën. E marr guximin ta them ketë në emër të të gjithë familjarëve të viktimave, sepse askush më shumë se ne nuk i ndien pasojat e politikave të saj gjenocidale mbi shqiptarët. Serbia m’i vrau prindërit e vëllezërit, por krenarinë për jetën dhe veprën e tyre nuk mund të ma marrë askush”, thuhet në reagimin e Kelmendit.