Arbëri

Konjufca realizon takimet e para me të paraburgosurit në Hagë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka takuar Jakup Krasniqin e Pjetër Shalën të cilët po mbahen në Hagë.

Shefi i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli, ka njoftuar për vizitat e Konjufcës ndërsa ka treguar edhe se kur do të takohet me të tjerët në paraburgim.

Të dielën, kryetari i Kuvendit do të takojë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Veseli.

“Sot bashkë me kryeparlamentarin Konjufca filluam vizitat në Hagë, takuam ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi e Pjetër Shalën, pas drekës takojmë gjeneral Rexhep Selimin. Kurse nesër ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e po ashtu edhe të dënuarit nga shoqata e veteranëve të luftës Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka thënë Kërçeli.

Konjufca të premten është nisur për në Hagë ku pati paralajmëruar se do t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së.