Arbëri

PDK-ja kundër vendimit të Supremes për energjinë, e dërgon në Kushtetuese

PDK-ja ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme që anulon dy vendimet gjykatave Themelore dhe të Apelit, të cilat kishin konsideruar rritjen e çmimit të energjisë të kundërligjshme, është në dëm të qytetarëve dhe i ndikuar politikisht.

Për këtë arsye, PDK-ja thotë se e kundërshton vendimin e fundit të gjykatës dhe se atë do ta dërgoj në Gjykatë Kushtetuese.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, ka thënë se vendimi i Supremes ka qenë i ndikuar nga Qeveria.

“Të dyja këto gjykata kanë qenë të një mendimi se kjo rritje është bërë edhe në kundërshtim me ligjin edhe në kundërshtim me përpjekjen tashmë të munguar - që qytetari i Kosovës të mbrohet nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ne e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga Qeveria aktuale. Gjykata Supreme duket se ka qenë e prirur nga interesa të tjera klanore, karieriste dhe posaçërisht politike.”, ka thënë ai.

Sipas Abdullahut vendimi i Gjykatës Supreme është vendim i padrejtë për nga mungesa e profesionalizmit, “profesionalizëm ky që bie viktimë e politikës arrogante që mendon se drejtësia në politikë e qeveri është mbi drejtësinë në Gjykata”.

Më tej, ai ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës do ta vazhdojë angazhimin e saj rreth kësaj teme.

“Ne do të gjejmë forma të mundshme juridike për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë”, ka përfunduar Abdullahu.

Ndërkaq, në anën tjetër, avokati Faton Fetahu ka thënë se ky është një vendim i padëgjuar në vendimmarrjet gjyqësore të sistemit të Kosovës.

“Është kusht që Gjykata Supreme t’i vlerësoj tri kushte para një vendimi dhe këtë nuk e ka bërë. Një prej këtyre kushteve është vlerësimi se a është ai vendim në dëm të interesit qytetar. Prandaj, Gjykata nuk e ka bërë punën e saj në pajtim me ligjin, duke rënë ndesh me disa parime të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Supreme, me keqardhje e them, duket se e kishte të gatshëm këtë vendim.”, ka thënë Fetahu.

Më tej, ai ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës tani do ta dërgoj këtë vendim për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Tashmë, i autorizuar nga PDK-ja, unë kam filluar procesin e shqyrtimit të këtij vendimi dhe të njëjtin do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese brenda dy javëve të ardhshme”, ka përfunduar Fetahu.