Arbëri

MPJD-ja ka shpërfillur vendimin e Qeverisë që ndalon blerjen e veturave

Descriptive Text

Blerja e veturave fundvitin e kaluar ishte bërë nëpërmjet tenderit, edhe pse me vendim të Qeverisë u ishte ndaluar ministrive të iniciojnë procedura për blerjen e veturave. As Zyra e kryeministrit e as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk janë përgjigjur lidhur me vendimin, as nëse kanë pasur komunikim para se të iniciohen procedurat e tenderit. Ndërkohë, Njësia e Hetimeve për Krimet Ekonomike ka nisur intervistimin e zyrtarëve të MPJD-së, për shkak të dyshimeve lidhur me dallaveret në tenderin për të cilin raportoi “KOHA”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte shkelur edhe një vendim të Qeverisë, kur vendosi të iniciojë tender për blerje të veturave. Rreth 160 mijë euro, nga 300 mijë sa i kishte paraparë, MPJD-ja i harxhoi në blerjen e pesë veturave, për të cilat nuk kishte pasur kërkesë as nga misionet diplomatike. Veç kësaj, ky aktivitet prokurimi është shoqëruar me shkelje të shumta, ku ka pasur ndërhyrje edhe në dosje, për të cilat ka raportuar KOHA në disa vazhdime.

Me vendimin e datës 19 tetor 2020, ish-Qeveria Hoti kishte ndaluar procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre.

“1. Ndalohen procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre. 2. Obligohen të gjitha ministritë me agjencitë në varësi të tyre, të cilat janë në proces të tenderimit të blerjes së veturave, t’i ndalojnë proceduat bazuar në Ligjin Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës”, shkruan në vendim.

Me këtë rast, ishte obliguar Ministria e Punëve të Brendshme që brenda një jave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi të hartojë dhe të sjellë për aprovim një plan për inventarizimin e të gjitha veturave zyrtare dhe një plan për rishpërndarjen e veturave zyrtare sipas nevojave të institucioneve, të cilat miratohen nga Komisioni i themeluar me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme.

Të njëjtin vendim e ka konfirmuar edhe Qeveria Kurti, më 14 korrik 2021, duke ia shtuar pikën sipas së cilës Dogana e Kosovës nuk i nënshtrohet këtij kufizimi. Pikat e tjera kanë mbetur të pandryshuara.

“1. Pas pikës 1. të Vendimit Nr. 05/36 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 19.10.2020 shtohet pikë e re me numër 2, me tekstin si në vijim: Dogana e Republikës së Kosovës nuk i nënshtrohet kufizimi të përcaktuar në pikën 1. të këtij vendimi. 2. Pikat e tjera të Vendimit Nr. 05/36 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 19.10.2020 mbesin të pandryshuara”, shkruan në vendimin.

Vendimi u ishte dërguar të gjitha ministrive.

Në Zyrën e kryeministrit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë janë përgjigjur lidhur me vendimin, as nëse kanë pasur komunikim para se të iniciohen procedurat e tenderit.

KOHA ka publikuar disa vazhdime të cilat konfirmojnë se aktiviteti i prokurimit për blerje veturash është shoqëruar me parregullsi dhe se ka dyshime edhe për ndërhyrje në dosjen e tenderit, të cilën fillimisht kishin refuzuar ta nënshkruanin zyrtarët përgjegjës. Po ashtu, veturat ishin kontraktuar, megjithëse nuk ka pasur kërkesa nga misionet diplomatike dhe konsullore. Lista e tyre ishte përpiluar tek pas nisjes së procedurave të tenderimit. Ndërhyrje në dosjen e tenderit për furnizim me vetura të misioneve diplomatike dhe konsullore ka pasur edhe në specifikacionet e tyre, duke ia përshtatur furnizuesit edhe pas nënshkrimit të dokumenteve. Kjo konfirmohet nëpërmjet shkresave që Komisioni përkatës i ka adresuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, disa ditë pasi ishin vënë firmat mbi tender.

Derisa MPJD-ja e kishte cilësuar si të “pjesshme dhe joreale” përmbajtjen e hulumtimit, ajo nuk ka ofruar sqarime për mospërputhjet në dosje dhe dyshimet e ngritura nga KOHA.

Ky aktivitet prokurimi është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Burime brenda Ministrisë i kanë thënë KOHËS se në fillim të javës janë intervistuar zyrtarët e MPJD-së. Përveç zyrtarëve të administratës, në këtë aktivitet prokurimi ishin përfshirë edhe anëtarë të kabinetit Gërvalla.

Më 2 qershor, edhe Prokurori i Shtetit njoftoi se ka filluar procedurën e verifikimit dhe të hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion.