Arbëri

Abdixhiku: Zhvendosja e “Sunny Hillit”, skandal i pariparueshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar skandal të pariparueshëm zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.

Të martën, organizatorët e “Sunny Hill” hoqën dorë nga organizimi i festivalit në Prishtinë. Sipas reagimit, festivali do të zhvendoset në Tiranë pasi që institucionet e shtetit vonuan në për lëshimin e lejes për shfrytëzimin e pronës në Bërnicë, pas vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Kjo Qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë. Detyrimi për largim i festivalit ‘Sunny Hill’, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do. Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë. Kjo politikë paranoike, është vazhdimësi e zymtësisë politike që popullistët e pushtetit në çdo hap të tyre po e prodhojnë. Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.