Arbëri

PDK-ja e bojkoton seancën për shkak të mospërfshirjes së veteranëve në pagën minimale

Descriptive Text

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, të martën, ka njoftuar se Grupi parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e së martës të Kuvendit, për shkak të mospërfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.

Krasniqi tha se injorimi i veteranëve nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është turp i madh, pjesë e të cilit, sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet kurrë dhe do ta kundërshtojë fuqishëm.

"Propozimet tona kanë qenë që paga minimale të jetë në nivelin e tillë, që të mundësojë mbulimin e nevojave elementare për punëtorët dhe familjet e tyre, gjë që nuk është as për së afërmi e kënaqshme me propozimin e qeverisë që e ka sjellë me projektligj. Por në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale", tha Krasniqi.

Lideri i PDK-së tha se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë më meritorët për lirinë dhe se shteti e pavarësia i kanë në themel luftën dhe gjakun e dëshmorëe.

Krasniqi duke e konsideruar këtë sjellje të papërgjegjshme karshi veteranëve si absurde dhe të pafalshme, i bëri thirrje qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe të mos e procedojë tutje për miratim.

"Në vend se të kishim sot debat për nivelin e pagës minimale për të vendosur pak më shumë drejtësi, qeveria ka vendosur që të bëjë padrejtësinë më të madhe e më të turpshme ndaj atyre që janë pjesë e dinjitetit tonë kombëtar e historik. Prandaj, injorimi dhe mos përfshirja e kompensimit të veteranëve të UÇK-së në ligjin për pagën minimale është një turp, pjesë e të cilit ne nuk do të bëhemi kurrë dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm. Mbi këtë bazë, Partia Demokratike e Kosovës sot nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Para se e njëjta të fillojë, dua që nga këtu t’i bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim", theksoi kryetari i PDK-së.

Me caktimin e pagës minimale nga 170 euro në 264, është eliminuar efekti i kësaj rritjeje tek pensioni i veteranëve, i personave të verbër, si dhe tetraplegjikëve e paraplegjikëve.

Një javë më parë veteranët e UÇK-së kanë protestuar para Kuvendit, kundër miratimit të Projektligjit për ndryshimin e ligjit për pagën minimale.

Protesta pati eskaluar duke mbetur të lënduar dy policë e një qytetar.

Megjithatë projektligji nuk ka arritur të miratohet atë ditë për shkak të mungesës se kuorumit.