Arbëri

Çmimi i naftës mbi 1.90 euro, LDK-ja kërkon debat parlamentar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar debat parlamentar rreth çmimit të naftës, duke thënë se të hënën çmimi shkoi në 1.90 euro për litër.

Abdixhiku tha se inflacioni ka shkuar në 13 për qind, ndërsa sipas tij, në këtë krizë, mosveprimi është krim.

“Sot, bëhen 100 ditë nga propozimi ynë i parë për reduktim të akcizës në derivate e reduktim të TVSH-së në produkte esenciale. Ky propozim është refuzuar e po refuzohet nga pushteti arrogant i Kurtit. Çmimi i naftës këtë mëngjes shënon rekord të ri prej 1.90 eurove për litër; derisa inflacioni i gjithëmbarshëm ka arritur në plot 13%. Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim”, shkroi ai në Facebook, derisa theksoi se po të veprohej me kohë, “papërballueshmëria jonë do të ishte më e lehtë”.

Sipas tij, nëse nuk veprohet, kriza do të bëhet edhe më e thellë.

Ditëve të fundit, çmimi i naftës në Kosovë shënoi rritje të hovshme. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, tha se rritja e çmimit po ndodhë për shkak të rritjes në tregjet ndërkombëtare.

Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thonë se me Ligjin e ri për naftën, ua lejon ndërhyrjen në çmime, por që duhen akte nënligjore për këtë.