Arbëri

Ministri i Shëndetësisë përzgjodhi kirurgun për ndërhyrjen kirurgjike

Një ndërhyrjeje kirurgjike nga zorra qorre i është nënshtruar sot Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Për ta kryer këtë operacion, ai përzgjodhi kirurgun, me gjithë ekipin kujdestar që ndodhej në QKUK. Derisa mjeku kujdestar thotë të mos ketë qenë problem për të një gjë e tillë, përzgjedhja e mjekut po shihet si abuzim nga mjekë të tjerë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në orët e para të së premtes, i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik shkaku i zorrës qorre.

Megjithëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndodhej ekipi kujdestar, Latifi e kishte thirrur kirurgun Enver Feka për ta operuar.

Feka njëherësh është kandidat për drejtor të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale.

Mjek kujdestar në këtë klinikë ishte Lulzim Salihu, por ai vetëm asistoi në këtë operacion. Thotë se një gjë e tillë nuk paraqet diçka të re.

“Nuk është se nuk ka pranuar se ai nuk na njeh... por, ai e ka thirrur edhe një kirurg që e njeh... për ne, në marrëveshje me ne kuptohet... edhe me kirurgët tanë, edhe me vëzhgimin tonë... ai ka qenë nën vëzhgimin tonë... Mund të ndodhë, ne shpesh kemi raste kur dikush, ndonjë familjar apo i afërm që preferon te unë... për mua nuk ka qenë asnjë lloj problemi”, ka thënë Salihu.

KOHA ka mësuar se pas zgjedhjes së kirurgut nga ana e ministrit, stafi asistues ka shprehur hezitim, mirëpo kjo është mohuar nga Salihu.

“Unë kam qenë kryesori, unë kam qenë shef i ekipit. Nuk ka pasur asnjë lloj hezitimi për më ndihmuar. Nëse ka zgjedhur ministri, për ne nuk ka asnjë lloj problemi, ne kolegë jemi mes veti, pa marrë parasysh. Nuk ka asnjë problem, kush do; me rëndësi me qenë kirurg ligjërisht, edhe që e njohim na, edhe i pranuar në punë, edhe i nivelit të rëndësishëm të operacionit”, ka thënë ai.

Liridon Selmani, mjek në QKUK, e quan të papranueshme dhe abuzim.

“Shërbimi mjekësor në institucionet publike shëndetësore do të duhej të ishte i standardizuar dhe me protokoll unik. Me fjalë të tjera, pavarësisht cili mjek qëndron kujdestar cilësia e shërbimit që ai ofron do të duhej të ishte e njëjtë si e kolegëve të tjerë. Është abuzim i pozicionit, fakti që për një intervenim rutinor dhe jokompleks dikush të ketë të drejtën të angazhojë mjek nga shtëpia, kur aty ka mjekë tashmë të dëshmuar për punën që bëjnë. Po, qytetarët e thjeshtë cilin numër do të duhej të telefonojnë kur janë në hall për trajtim”, ka deklaruar Selmani.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk janë përgjigjur në lidhje për këtë.

Gjendja e Latifit sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është stabile, teksa ai po qëndron në Mjekimin Intensiv Qendror.