Arbëri

Dreshaj – Latifit: Ministër, kur do t’ia nisësh punës

Descriptive Text

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, derisa e ka akuzuar të mërkurën ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, për siç tha ai, dështim në drejtimin e këtij dikasteri, e ka pyetur ministrin në mënyrë ironike se kur e ka ndërmend t’ia nisë punës, duke aluduar në mospunë.

Dreshaj ka thënë se këtë pyetje ministrit ia ka shtruar miqësisht në Komisionin për Shëndetësi, gjatë raportimit të tij më 8 qershor.

“Ministrit i thashë: dështim në edukim, dështimin në menaxhim, dështim në sistem të pagesave dhe sigurimet shëndetësore dhe miqësisht e pyeta; ministër kur don me ja nis punës?”, ka shkruar Dreshaj në Facebook të mërkurën.

Ai ka shtuar se disa nga konstatimet që i ka dhënë në këtë komision janë që lista esenciale e paraqitur në dokumentin që e ofroi ministri është e pasaktë.

“Letra duron gjithçka por e vërteta është që sot klinikët, QKUK-ja ku punoj unë, nuk i ka medikamentet e nevojshme. Kjo është e verifikueshme fare lehtë. Ndërsa, lista e pritjes për intervenime kirurgjikale është e gjatë dhe nuk ka veprime konkret”, ka shkruar ai.

Sipas tij, shtatë muaj që nga marrja e detyrës si ministër, nuk ka zhvillime pozitive as në shërbimin terciar dhe as sekondar.

“Sot, pacientët bredhin prej zyrës në zyre, pa asnjë përkujdesje dhe përgjegjësi institucionale ndërsa mjekët dhe stafi shëndetësor punojnë me paga shumë të ulëta. Kërkova nga ministri që të jetë më agresiv rreth Ligjit të Pagave, pasi që deri tani nuk kemi dëgjuar asnjëherë të flasë për këtë ligj”, ka thënë ai.