Arbëri

Mustafa: Të mos preket Trusti, të rriten pagat

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se për të tejkaluar krizën ekonomike në vend duhet të rriten pagat në nivel të inflacionit. Ai ka deklaruar se nuk duhet të mundësohet një tërheqje e re nga fondi i kursimeve pensionale. Sipas tij, ndihma prej 100 euro për punëtorët e sektorit publik, privat dhe studentët e skemat sociale, nuk është e frytshme.

“Masat e tilla (100 euro) nuk u ndihmojnë qytetarëve që të zbusin problemet e tyre me rritje të çmimeve dhe problemin e inflacionit e pagave të ulëta. Nëse Qeveria ka dëshirë dhe vullnet që të ndihmojë qytetarët, duhet të rriten pagat. Pra duhet të vijë një vendim i Qeverisë për rritje të pagave, pa marrë parasysh se kur vjen ligji i pagave. Në qoftë se inflacioni është 11 apo më shumë për qind, bile pagat duhet të rriten minimum sa është inflacioni, pasi e mban stabile fuqinë blerëse të çdo të punësuari dhe pastaj duhet të shihet si t’iu ndihmohet këtyre tjerëve që s’marrin pagë, pensionistëve, grupeve të margjinalizuara, të papunëve dhe të tjera. Këto janë masa që Qeveria ka mundur t’i marrë, pasi nëse ka para që për një ditë t’i ndajë 100 milionë euro ose paguajë rrymën gati 100 milionë euro në veri, atëherë është dashur që qytetarëve t’iu gjendet një zgjidhje”, ka thënë Mustafa për KosovaPress.

Mustafa ka thënë se është kundër tërheqjes nga Trusti, sipas propozimit të opozitës. Ai ka thënë se fondi i kursimeve pensionale është investim për të ardhmen.

“Nuk jam ai që e parapëlqej prekjen e Trustit të pensioneve, pasi është një investim i qytetarëve për të ardhmen. Ata investojnë në mënyrë që kur shkojnë në pension dhe s’kanë paga, ata të kenë një burim të jetesës së tyre...Trustin mundemi të shpenzojmë, por janë mjetet të qytetarëve që kanë kursyer për veti për ditën më të vështira, pra kur shkojnë në pension, pasi s’kanë mundësi të punojnë”, ka deklaruar Mustafa.

Ish-partneri i kryeministrit aktual, Albin Kurti, në qeverinë e vitit 2020, ka thënë se janë joreale pretendimet e qeverisjes aktuale për rritje ekonomike e punësim. Sipas tij, qeverisja e Kurtit nuk është në harmoni me premtimet.

“Kurti tash lavdërohet se kemi pasur një rritje ekonomike në vitin 2021 prej rreth 10 për qind dhe se ka pasur punësim mbi 20 mijë të punësuar. Sa i përket rritjes ekonomike është gabim të krahasohet me një vit më parë, pasi në vitin 2020 nuk ka pasur rritje, por rënie diku -5.7 për qind në Kosovë. Prandaj një rritje me një rënie nuk mundet të krahasohet, por krahasohet në një nivel stabil. Ky është një fakt se kjo rritje nuk është reale dhe fakti i dytë është inflacioni...tek të punësuarit është mjaft diskutabile, të gjendet numri prej 25 mijë, pasi nëse kanë qenë do të thotë se e tërë gjenerata që ka hyrë në tregun e punës është punësuar, aq është fluksi i të rinjve që hyjnë në tregun e punës gjatë 1 viti, prej 23-25 mijë. Nëse është ashtu, ne jemi në një situatë të mirë, por realiteti është tjetër, pasi njerëzit po ikin jashtë, po migrojnë në vendet e ndryshme. 200 mijë kërkesa janë për viza para ambasadave të ndryshme, kryesisht Gjermani, Zvicër dhe vendeve të tjera”, ka thënë më tej Mustafa.