Arbëri

Bislimi: Kosova dhe Serbia afër marrëveshjes për energjinë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është kryenegociator i palës kosovare në dialogun me Serbinë, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes për energjinë, por që nuk kanë arritur ende të pajtohen për një zgjidhje përfundimtare lidhur me targat e automjeteve.

Në një intervistë për mediumin serb "N1", Bislimi ka thënë se dialogu nuk po zhvillohet me shpejtësinë që po priste Kosova.

“Po ecën ngadalë kryesisht për shkak të strategjisë së zgjedhur dukshëm nga negociatorët e Beogradit, e cila krijon pengesa. Këtu përfshihet marrëveshja energjetike dhe targat”, tha ai, duke shtuar se pret që pala serbe të bëjë hapin përfundimtar për marrëveshjen për energjinë.

Bislimi ka shtuar se Beogradi po krijon një problem duke e përdorur Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Pengesat për zbatimin janë krejtësisht artificiale pasi Serbia nuk ka zbatuar dy herë më shumë marrëveshje nëse krahasohet me Kosovën. Ata nuk kanë kredibilitet të kërkojnë asgjë nga Kosova. Beogradi ka rënë dakord me ish-qeverinë e Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje si pjesë të një pakete të përgjithshme”, tha Bislimi.

Siç raporton mediumi serb, Bislimi ka thënë se Kosova është e obliguar të zbatojë marrëveshjet ekzistuese, por shtoi se disa marrëveshje të nënshkruara janë vetëm të përkohshme.