Arbëri

MZHR-ja i quan të paqëndrueshme akuzat e PDK-së për keqpërdorim të buxhetit

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës se ministri Fikrim Damka, është i përfshirë në keqpërdorimin të buxhetit të shtetit.

PDK-ja të mërkurën kërkoi hetime mbi një memorandum bashkëpunimi në mes të MZHR-së dhe Caritas-it zviceran, që kjo parti e konsideroi “aferë të dyshimtë dhe e kundërligjshme”. Sipas kësaj partie opozitare, janë keqpërdorur 1 milion e 40 mijë euro të taksapaguesve.

Në reagim, Ministria e Zhvillimit Rajonal thotë se akuzat e PDK-së nuk qëndrojnë, pasi përkrahja e rinisë në shkolla, rintegrimi i të riatdhesuarve dhe bashkëpunimi me mërgatën kanë qenë qëllimet kryesore të këtij memorandumi të bashkëpunimit dhe si të tilla nuk janë keqpërdorime, por mundësi për përkrahje të qytetarëve.

“Ministria e Zhvillimit Rajonal ka një Memorandum të bashkëpunimit me Caritasin zviceran, organizatë ndërkombëtare e regjistruar në Kosovë, Caritasi Zviceran është anëtar i rrjetit ndërkombëtar të Caritas. Ai përbëhet nga 165 organizata në mbarë botën, përveç kësaj, organizatat e Caritas-it evropian janë bashkuar në Bruksel për të formuar Caritas Europe. Si rezultat i Memorandumit të bashkëpunimit në mes MZHR-së dhe Caritasit zviceran derivojnë dy projekte MARDI dhe YENI, ku Caritasi zviceran mbulon shumën më të madhe të financimit në vlerë prej 1,560,000 euro dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal bashkëfinancon këto dy projekte në vlerë prej 347,000 euro për vitet 2022-24”, thuhet në reagim.

Në reagim, MZHR-ja thotë se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të bashkëfinancuar këto projekte dhe është konsultuar paraprakisht me të gjithë akterët relevantë për të marrë pëlqimet e nevojshme. /ksp