Arbëri

Rexhaj: TV-të të kenë kujdes me fëmijët

Descriptive Text

Zëvendëskryeshefi i Komisionit të Pavarur të Mediave, Faruk Rexhaj, deklaroi se si institucion, i kanë kushtuar rëndësi mbrojtjes së fëmijëve nga ekspozimi në media, por që monitorimi nuk është gjithmonë i lehtë. Kjo për shkak të numrit të madh të mediave, e numrit të vogël të punonjësve në KPM.

Rexhaj deklaroi të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se rregullorja e KPM-së për fëmijët, e rregullon mënyrën se si televizionet kanë të drejtë t’i intervistojnë fëmijët.

“Zakonisht kemi raste kur kemi intervista me fëmijë. Në shumicën e rasteve nuk ka leje të televizionit nga prindërit, por edhe po të ketë, televizionet duhet të kujdesen që të mos vënë në siklet fëmijën. Në përgjithësi edhe nëse janë programe argëtuese, çdo program duhet ta ketë lejen e prindit për t’u shfaqur. Televizioni duhet ta minimizojë qasjen që e ka ndaj fëmijës. Nëse kemi pyetje që janë të vështira për fëmijën, që mund ta vë në siklet, mund të llogaritet si tejkalim i punës së gazetarit”, deklaroi Rexhaj.

Ai tha se në televizionet kosovare transmetohen spote muzikore që duhet të kategorizohen në 14+, e për këtë KPM-ja ka nisur projektin e kategorizimit.

“Ka qenë njëherë një spot që e kemi larguar fare nga platformat për shkak të përmbajtjes. Kemi raste kur emisionet janë të drejtpërdrejta, ku janë të pamundshme të parandalohen. Për gjuhë ofenduese të përdorur në televizione, i takon moderatorit që të kërkojë falje publikut për shprehjet e përdorura. Ka raste kur moderatorët kërkojnë falje. Kemi një vetëdijesim të moderatorëve që kërkojnë falje për shprehjet e përdorura nga mysafirët në emisione”, theksoi Rexhaj.

Rexhaj theksoi se Komisioni i Pavarur i Mediave i ka nën monitorim 200 media audio dhe audiovizuele, por që stafi i pakët e ka të vështirë t’i monitorojë të gjitha transmetimet. Sipas tij, ndihmë të madhe do të ofronin edhe prindërit që ankohen për përmbajtjet që shkelin rregulloren e KPM-së.

“Është e pamundur, qoftë edhe me monitorim të vazhdueshëm t’i hasim të gjitha shkeljet. Më e mira janë ankesat e prindërve në KPM. KPM-ja nxjerr vendime me gjoba varësisht nga shkeljet që janë bërë. Në bashkëpunim me OSBE-në kemi bërë promovime që kjo kategori (fëmijët) të mbrohet”, shtoi ai.

Rexhaj tha se është momenti i fundit që institucionet të bëjnë diçka për mbrojtjen e fëmijëve, derisa përmendi se është duke u punuar ndryshimi i Ligjit të KPM-së, ku ky institucion do t’i monitorojë edhe përmbajtjet vizuele nëpër media online.

“KPM-ja në mandatin e saj i mbulon vetëm mediat audio dhe audiovizuele. Jemi në ndryshim të Ligjit të KPM-së. Po punojmë ngushtë me zyrën e Kryeministrit për ndryshime. Do t’i jepet një mandat shtesë KPM-së për pjesën e videos te mediat online”, tha ai, derisa e përmendi edhe futjen e edukimit medial në shkolla si masë për parandalimin e keqpërdorimeve të fëmijëve në media.