Arbëri

Ndërmarrja “Agro Kosova” i kthehet privatizuesit të saj

Zyrtarët e AKP-së rikthejnë ndërmarrjen “Agro Kosova” tek ish-blerësi

Aktvendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për masën e përkohshme për administrimin e ndërmarrjes së re “Agrokosova” është zbatuar të hënën nga palët.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka respektuar urdhrin e gjyqësorit për pranim-dorëzimin e ndërmarrjes, me ç’rast administrimi është bartur te privatizuesi Aziz Tafa përkatësisht “Agrokosova Holding”.

Palët brenda kompleksit të ndërmarrjes janë takuar për të bërë pranim-dorëzimin, teksa punëtorët për një kohë kanë pritur jashtë rrethojave.

Pas përfundimit të kësaj procedure, këta punëtorë janë lejuar që të hyjnë në ndërtesën e ndërmarrjes.

“Çdo gjë ka qenë në rregull. Pranim-dorëzimi është bërë në mënyrë vullnetare dhe me marrëveshje. Nga sot qeverisin pronarët, të cilët kanë qenë para datës 31 janar 2022, çdoherë kur të them data ose statistika, këto vijnë nga aktvendimi i Gjykatës Supreme - Dhoma e Posaçme në Kosovë”, tha avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi.

AKP-ja një ditë më parë, përmes një njoftimi, pati pohuar pranimin e aktvendimit të Gjykatës Supreme për masën e përkohshme ndaj vendimit të bordit të kësaj agjencie për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e ndërmarrjes së re “Agrokosova” nën administrim direkt të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të Agrokosovës.

“AKP-ja i respekton në tërësi vendimet e gjykatës, por është jashtëzakonisht e befasuar me vendimin e gjykatës dhe dëshiron të njoftojë publikun e gjerë dhe të gjitha palët e interesit, se kjo është hera e parë që nga themelimi i AKP-së dhe ish-AKM-së, që për vendimet e bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve për arsye të shkeljeve të kontratave të privatizimit me spin-off special, që një pronë largohet me vendim të gjykatës nga administrimi publik dhe bartet nën administrim privat”, thuhet nga AKP.

Më 31 janar 2022, AKP-ja pati vendosur që këtë ndërmarrje ta vendosë nën administrimin e vet, pasi sipas kësaj agjencie, privatizuesi nuk ka përmbushur vlerën e investimeve të zotuara e as zotimin për punësime.

AKP-ja gjithashtu pretendon se ka edhe shkelje të tjera serioze të kontratës, dhe për këtë arsye, ka bërë thirrje që të hetohen këto dyshime.